Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë si panelist në “Green Business & Industry Summit 2025”, duke u fokusuar mbi rolin kyç të menaxhimit të rrezikut klimatik dhe financimit të gjelbër për ndërtimin e një ekonomie konkurruese dhe të qëndrueshme.
Samiti, i organizuar nga Kosovo CSR Network në partneritet me LuxDev, mblodhi përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, organizatave multilaterale, sektorit të financave zhvillimore dhe politikëbërës nga vendi dhe rajoni.
Diskutimet gjatë samitit u fokusuan në financimin e tranzicionit të energjisë, promovimin e modeleve të ekonomisë qarkore, adoptimin e praktikave ESG dhe përgatitjen e tregut për kërkesat e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe mekanizmin CBAM.
Gjatë panelit me temën “Dekarbonizimi si një Prioritet Kombëtar brenda Tranzicionit të Gjelbër Evropian”, Guvernatori Ismaili theksoi veprimet konkrete të BQK-së për të integruar menaxhimin e rreziqeve klimatike në Planin Strategjik të bankës. Ai nënvizoi gjithashtu avancimin e politikave të investimeve të BQK-së për të orientuar rezervat në instrumente financiare sipas parimeve ESG.
Ismaili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar për përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe të drejtë për brezat e ardhshëm. Ai përmendi projektin e pagesave të shpejta TIPS Clone si një model të mundshëm bashkëpunimi edhe në fushën e tregjeve të kapitalit për të rritur mundësinë e investimeve në pajtueshmëri me parimet ESG.
Në përmbyllje, Guvernatori rikujtoi përkushtimin e BQK-së për forcimin e rolit mbikëqyrës, ngritjen e kapaciteteve të sektorit financiar dhe zhvillimin e një infrastrukture financiare të qëndrueshme që mbështet tranzicionin e gjelbër, duke e pozicionuar Kosovën në rrugën drejt një ekonomie më konkurruese dhe më miqësore ndaj mjedisit.



