Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme që lidhen me licencimin e shoqërive të reja në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike, duke vijuar rritjen e portofolit kombëtar të kapaciteteve të gjenerimit nga burime të rinovueshme.
Vendimet e publikuara në Fletoren Zyrtare tregojnë se Bordi i ERE-s ka autorizuar disa projekte të reja fotovoltaike dhe hidroenergjetike, si dhe ka ndërmarrë rishikime dhe ndryshime për disa prej licencave ekzistuese.
Licenca të reja për prodhim energjie
Me vendimin nr. 287, datë 13.11.2025, ERE ka liçencuar shoqërinë “Infotelecom-Albsolar 4” në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike. Projekti është pjesë e zgjerimit të investimeve fotovoltaike të grupit “Albsolar”, një nga operatorët më aktivë në zhvillimin e kapaciteteve diellore në vend.
Vendimi nr. 289, po datë 13.11.2025, i jep liçencë shoqërisë “IDI 2005” për prodhimin e energjisë elektrike, duke shtuar një tjetër subjekt privat në tregun e gjenerimit.
Me vendimin nr. 301, datë 17.11.2025, ERE ka liçencuar shoqërinë “Nikolica Ski Resort” për prodhimin e energjisë, një projekt që lidhet me zhvillimet turistike dhe infrastrukturore në zonën e Nikolicës.
Një tjetër projekt fotovoltaik merr dritën jeshile me vendimin nr. 302, datë 17.11.2025, për liçencimin e “Spitalla Solar” sh.p.k. si prodhues energjie. Zona e Spitallës po shndërrohet gradualisht në një qendër të re të investimeve energjetike me bazë diellore.
Rishikime dhe ndryshime licencash ekzistuese
Me vendimin nr. 288, ERE ka hapur procedurën për rishikimin e vendimit të mëparshëm të liçencimit të HEC “Klisyrë” me kapacitet 2 MW, duke shqyrtuar dokumentacionin dhe përputhshmërinë e projektit.
Vendimi nr. 296 sjell disa ndryshime në licencën e mëparshme të kësaj shoqërie të lidhur me HEC “Gojan”, duke adresuar çështje teknike ose strukturore të kartelës së liçencimit.
Vendimi nr. 297 përfshin rishikime në licencën e lëshuar në vitin 2023 për një central fotovoltaik me kapacitet 2 MW, duke përditësuar të dhëna teknike apo strukturore sipas kërkesave të operimit.
Me vendimin nr. 298, ERE ka bërë disa ndryshime në licencën e HEC “Stavec” me kapacitet 6.25 MW, duke reflektuar zhvillime të reja teknike ose ristrukturime në pronësi.
Këto vendime tregojnë një vijimësi të qartë të politikës për nxitjen e energjisë së pastër dhe diversifikimin e burimeve të gjenerimit, me synimin për të rritur kapacitetet prodhuese dhe për të ulur varësinë nga importet. /ekofin.al



