Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se projekti për ndërtimin e nënstacionit elektrik në Malishevë ishte hequr nga planet e investimeve në të kaluarën për shkak të favorizimit të komunave të tjera të afërta me pushtetin e atëhershëm.
Sipas saj, që në vitin e parë të qeverisjes aktuale, kjo çështje është adresuar me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (KOSTT), i cili e ka përfshirë projektin në planin e investimeve, si dhe me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), i cili ka ofruar një zgjidhje të përkohshme përmes super-përçuesve, deri në ndërtimin e nënstacionit.
Ministrja theksoi se kjo ndërhyrje synon trajtim të barabartë të qytetarëve dhe eliminimin e diskriminimit në baza politike në investimet në infrastrukturën energjetike. Ajo gjithashtu falënderoi operatorët energjetikë për angazhimin e tyre në përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike në Malishevë.



