Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me të ashtuquajturën “mafi energjetike”, duke i cilësuar pretendimet e fundit si dezinformata të pabazuara.
Ai ka deklaruar se Kosova nuk ka blerë energji elektrike nga Serbia, duke iu referuar edhe sqarimeve të dhëna më herët nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe deputeti Armend Muja.
Sipas Kurtit, të dhënat dhe tabelat e publikuara dëshmojnë se nuk ka pasur blerje të energjisë nga Serbia nga institucionet e Kosovës. Ai ka pranuar se në nivel teknik mund të ketë pasur transmetim të energjisë elektrike nga Serbia përmes rrjetit të Kosovës, por ka theksuar se kjo nuk përbën blerje të energjisë.
Kryeministri ka shtuar se as KEK-u nuk blen energji elektrike, duke nënvizuar se furnizimi me energji në Kosovë mbështetet në kapacitetet vendore përmes KEK-ut dhe KESCO-s.
Ai ka deklaruar se çështja do të shqyrtohet edhe me Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke e cilësuar gjithë debatin si përpjekje për krijimin e perceptimeve të rreme në opinion.
“Le ta shikojmë me ZRRE, çfarë ka ndodhur. Kur u pa që në Kosovë nuk ka asgjë lidhur me ato dezinformata, filloi të përmendet ajo kompania e Shqipërisë. Ka mundësi që ka pasur transmetim të energjisë nga Serbia nëpër Kosovë e në nivel tjetër, por kjo nuk do të thotë që ne kemi blerë energji elektrike. Energji elektrike nuk blen as KEK’u lërë më unë, e kemi KEK’u dhe KESKO”, ka thënë Kurti në Kanal 10.



