Sipas analizës, dobësitë institucionale dhe mungesa e besueshmërisë juridike, përfshirë Shqipërinë, pengojnë investimet e huaja në projekte strategjike energjetike.
Sfidat e sundimit të ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor po pengojnë investimet strategjike në energji dhe infrastruktura kritike, me ndikime të drejtpërdrejta edhe për sigurinë energjetike të Evropës dhe partnerët perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, raporton The National Interest në një artikull të publikuar më 23 dhjetor 2025.
Sipas analizës së ekspertit Joelvin Villarreal, pa një sistem të fortë dhe të besueshëm të sundimit të ligjit, investitorët amerikanë dhe europianë do të kenë vështirësi të sigurtojnë, financojnë dhe mbrojnë projektet e energjisë në këtë rajon, që ndodhet në një pozitë kyçe për rrjetet e tranzitit të gazit, korridoret elektrike dhe zhvillimet e rinovueshme.
Shqipëria si “rast provë” për besueshmërinë juridike
Në artikull përmendet Shqipëria si një shembull ku dobësitë institucionale krijojnë rreziqe për klimën e investimeve të huaja. Autoritetet e drejtësisë, përfshirë SPAK-in, janë përballur me kritika për praktikat e zgjedhura ndaj zyrtarëve publikë, si rasti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ai kaloi muaj të gjatë në paraburgim pa aktakuzë të qartë për pretendime të pastrimit të parave përmes kontratave komunale, një proces që kritikët e quajtën “persekutim politik”.
Gjykata Kushtetuese e riktheu atë në detyrë në nëntor 2025, por çështja mbetet simbol i dobësive të sistemit të drejtësisë që shqetësojnë partnerët perëndimorë.
Analiza nënvizon se mosrespektimi i procedurave ligjore dhe dobësitë e sistemit gjyqësor mund të minojnë perspektivën e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Europian dhe të ndalojnë financimin e projekteve energjetike kyçe nga investitorë të huaj.
Mungesa e besueshmërisë juridike e bën më të rrezikshme për kompanitë financimin e projekteve të infrastrukturës, përfshirë gazin natyror likuid dhe energjitë e rinovueshme.
Sipas vlerësimit të The National Interest, dobësitë e sundimit të ligjit në gjithë rajonin korrelacionohen me influencën dhe ndikimin e aktorëve të jashtëm, përfshirë interesat e Moskës në sektorin e energjisë, duke rritur më tej pasigurinë.
Pa reforma të thella të institucioneve të drejtësisë dhe mekanizmave të kontrollit, investimet strategjike të mbështetura nga SHBA dhe BE rrezikojnë të shtyhen ose të kushtojnë më shumë për t’u sigurua dhe financuar.
Ky paralajmërim vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po kërkojnë të forcojnë sigurinë energjetike dhe diversifikimin e furnizimeve, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor kërkojnë të avancojnë në proceset e integrimit evropian dhe për të tërhequr investime të huaja strategjike.



