Home / Lajme / Kosova / Bordi i ZRRE e konfirmon, ulet çmimi i ngrohtoreve në Prishtinë dhe Gjakovë

Bordi i ZRRE e konfirmon, ulet çmimi i ngrohtoreve në Prishtinë dhe Gjakovë

Më 30.12.2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur seancën e dymbëdhjetë për vitin 2025. Gjatë kësaj seance, Bordi ka shqyrtuar dhe miratuar të Hyrat e Lejuara Maksimale për ndërmarrjen NQ Termokos sh.a dhe për ndërmarrjen NQ Gjakova sh.a për sezonin e ngrohjes 2025/2026.

Në kuadër të vendimeve, Bordi ka miratuar edhe tarifat e energjisë termike për konsumatorët fundorë të këtyre ndërmarrjeve. Për NQ Termokos sh.a në Prishtinë, tarifat u ulën për rreth 4%, ndërsa për NQ Gjakova sh.a për rreth 5%.

Ndryshe, sipas raportimeve, me çmimin e ri tani konsumatorët në Prishtinë do të paguajnë 73 centë për kilovat në muaj, ndërsa ata në Gjakovë 72 centë.

Po ashtu, gjatë seancës është miratuar Aneks-Marrëveshja ndërmjet Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Termokos sh.a për çmimin e energjisë termike nga kogjenerimi në Termocentralin Kosova B.

ZRRE ka shqyrtuar gjithashtu ankesat e konsumatorëve dhe çështje të tjera që lidhen me menaxhimin dhe funksionimin e Zyrës.

Ndërmarrja Termokos ka filluar vitin e kaluar një sistem faturimi të bazuar në matës të konsumit të ngrohjes, duke e zëvendësuar metodën e mëparshme që bazohej në sipërfaqen e hapësirave të banesave apo shtëpive. Ky sistem synon një faturim më të drejtë dhe transparent për konsumatorët.

Termokos ka rreth 25.000 konsumatorë në kryeqytetin me 227.154 banorë. Sezoni i ngrohjes nga Termokos-i zakonisht nis më 15 tetor dhe vazhdon deri më 15 prill.