Home / Lajme / Rrjeti elektrik / Bizneset ankohen për rrymë të dobët e për dyfishim të çmimit

Bizneset ankohen për rrymë të dobët e për dyfishim të çmimit

Sapo temperaturat nisën të bien, u rikthye edhe frika disavjeçare e qytetarëve.

Problemet me energjinë elektrike tashmë janë problem jo i panjohur për krejt Kosovën e çdo fundvit e njëjta situatë përsëritet. Kësisoj as fundi i 2025-ës nuk qe hiç i lehtë për disa zona të vendit.

Jo vetëm ndërprerjet e saj, por shqetësuese për qytetarët është edhe cilësia e dobët e saj.

E ankesa për këtë çështje kanë edhe bizneset. Rinor Mulolli, pronar i “Fade Studio” në Taukbahqe, tregoi për Kiks Kosovën se sa problematike është cilësia e rrymës në lokalin e tij.

Ndonëse rryma Mulolli thotë që është jashtëzakonisht e dobët, prapëseprapë faturat po vijnë të larta. Por megjithatë ai thotë se po duhet t’i paguajë medoemos.

Për problemin me energjinë elektrike që ka jo vetëm “Fade Studio”, por me dhjetëra familje e biznese tjera në Taukbahqe të kryeqytetit, Mulolli thotë që kanë nënshkruar edhe një peticion, ndonëse përgjigje ende nuk kanë marrë nga organet përgjegjëse.