Prurjet e ujit në hidrocentralin e Komanit kanë arritur në 800 metra kub në sekondë, ndërsa në Fierzë janë regjistruar 250 metra kub në sekondë.
Megjithatë, asnjëri prej tri hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit në Shqipëri nuk po kryen shkarkime uji, sipas të dhënave të publikuara nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Të dhënat e publikuara të hënën, më 23 nëntor, në orën 11:30, tregojnë se niveli i ujit në liqenin e Fierzës ishte 261.09 metra mbi nivelin e detit. Në Koman, niveli ishte 173.28 metra, ndërsa në Vaun e Dejës 74.16 metra.
Prurjet natyrore në hidrocentralin e Vaut të Dejës ishin 50 metra kub në sekondë, njofton Energy Monitor.
Sa i përket prodhimit, tri hidrocentralet e Kaskadës së Drinit prodhonin gjithsej 15,100 megavat-orë energji elektrike në ditë.
KESH ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e publikut dhe autoriteteve përgjegjëse për zhvillimet në Kaskadën e Drinit.



