Home / Highlights / Investime me diell: Rizvanolli sheh nga afër sukseset në Ferizaj

Investime me diell: Rizvanolli sheh nga afër sukseset në Ferizaj

Ministrja Rizvanolli viziton dy biznese në Ferizaj, përfituese të subvencionimit për panele solare dhe fotovoltaike.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe drejtori i departamentit për Zhvillim Territorial dhe Agjendë të Gjelbër në Zyrën e BE-së në Kosovë, Olivier Boudart kanë realizuar një vizitë informuese në dy biznese në Ferizaj, përfituese të subvencioneve nga Ministria e Ekonomisë (ME) përmes grantit nga Bashkimi Evropian (BE) për subvencionimin me panele solare dhe fotovoltaike.

Ministrja Rizvanolli pa nga afër investimet e bëra në Restaurant “Natural” dhe në Swan Pool&SPA, në kuadër të subvencionimit për sisteme solare fotovoltaike, teksa u informua se si faturat e energjisë elektrike në këto dy biznese u ulën ndjeshëm pas instalimeve të paneleve solare dhe fotovoltaike.

“Përvojat e tyre janë dëshmia më e mirë se si sektorët si pishinat, hoteleria e gastronomia mund të ulin shpenzimet e ngrisin performancën duke investuar në kapacitete vetanake të energjisë së ripërtëritshme”, tha ministrja Rizvanolli.

Menaxherja Swan Pool & SPA, Sevdije Rexhepi tha ky biznes ka përfituar 6,000 euro subvencion nga Ministria e Ekonomisë për panele fotovoltaike (PV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetkonsum. Ajo tha se është ulur fatura e energjisë deri në 40%.

Ndërsa pronari i Restorantit “Natural”, Isa Rysha tha se si biznes kanë përfituar 2,400 euro nga ME panele solare për ngrohjen e ujit sanitar.

Ministrja Rizvanolli falënderoi Bashkimin Evropian për përkrahjen në tejkalim të krizës energjetike përmes investimeve të mençura me efekte afatgjata për biznesin e ekonominë tonë.