Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se dje, më 14.01.2026, nga ora 15:00, Njësia B1 është rikthyer në operim dhe aktualisht po funksionon në gjendje të qëndrueshme teknike, në përputhje të plotë me parametrat operacionalë dhe të sigurisë.
Sipas njoftimit, duke pasur parasysh se KEK në operimin e rregullt angazhon katër (4) njësi prodhuese, rikthimi i “B1” nënkupton se KEK po operon me kapacitete të plota prodhuese, duke garantuar stabilitet të prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe funksionim të qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik.
“Ndalesa e përkohshme e Njësisë B1 ka qenë rezultat i rrjedhjeve të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës, çështje të cilat janë adresuar me sukses përmes ndërhyrjeve profesionale, sanimeve të planifikuara dhe menaxhimit efikas teknik, të realizuara brenda një afati optimal operacional, pa kompromentuar sigurinë dhe integritetin e njësisë”- thuhet në njoftim.
Korporata gjithashtu ka sqaruar se në përgjegjësi ka ekskluzivisht eksploatimin e thëngjillit, prodhimin e energjisë elektrike dhe termike.
Kurse, sipas njoftimit, furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike është përgjegjësi ekskluzive e kompanisë së furnizimit, e cila nuk është pjesë e saj.
KEK-u thot se mbetet i përkushtuar për operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe transparent, duke garantuar stabilitet të prodhimit vendor, siguri energjetike dhe informim të rregullt, të saktë dhe objektiv të publikut për gjendjen reale operative.



