Home / Lajme / Tjera / Haradinaj paralajmëron se B1 mund të mos rikthehet as në janar, rritet rreziku i importeve të energjisë

Haradinaj paralajmëron se B1 mund të mos rikthehet as në janar, rritet rreziku i importeve të energjisë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka paralajmëruar se blloku B1 i Termocentralit Kosova B mund të mos rikthehet në funksion as gjatë muajit janar, duke ngritur shqetësime për varësinë e Kosovës nga importi i energjisë elektrike gjatë sezonit dimëror.

Duke folur në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, Haradinaj ka thënë se, sipas informatave që posedon, punimet në këtë njësi nuk janë afër përfundimit, ndonëse afati për realizimin e projektit ishte paraparë për fund të nëntorit.

Ai ka pretenduar se vonesat në rikthimin e B1 do të krijojnë hapësirë për tregtarët e energjisë që të furnizojnë Kosovën me energji nga jashtë, duke përmendur mundësinë e shitjeve shtesë në vlerë prej 200 deri në 300 milionë eurosh.

Sipas Haradinajt, koston e këtyre importeve do ta bartin konsumatorët e Kosovës.

Megjithatë, pretendimet e tij për përfitimet e tregtarëve dhe vlerën e importeve shtesë nuk janë të dhëna të konfirmuara.

Blloku B1 është jashtë operimit që nga prilli i këtij viti, për shkak të punimeve për instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, që synojnë reduktimin e emetimeve të pluhurit dhe oksideve të azotit nga termocentrali.

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian, me rreth 84 milionë euro, ndërsa BE-ja është edhe autoriteti kontraktues. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, afati kontraktual për përfundimin e punimeve ishte 25 nëntori, ndërsa ministrja Artane Rizvanolli ka pranuar se projekti është përballur me vonesa dhe ka kërkuar ndërhyrje nga kontraktori dhe autoritetet përgjegjëse për përshpejtimin e punimeve.

Edhe KEK-u ka reaguar më 11 nëntor ndaj kritikave për vonesat në Kosova B, duke sqaruar se projekti mjedisor dhe ai për modernizimin e turbinave janë dy investime të ndara, me burime të ndryshme financimi dhe përgjegjësi të veçanta.

Sipas Korporatës, modernizimi i turbinave dhe komisionimi i ftohtë në B1 kanë përfunduar më 2 nëntor, ndërsa testimet përfundimtare dhe komisionimi në kushte operimi do të zhvillohen pas përfundimit të projektit mjedisor.

Mungesa e B1 e kufizon ndjeshëm kapacitetin vendor të prodhimit në prag të dimrit. Aktualisht, KEK-u synon të operojë me tri njësitë e Kosovës A dhe bllokun B2 të Kosovës B, ndërsa institucionet kanë krijuar një task-forcë për koordinimin e furnizimit gjatë sezonit dimëror.

Vonesat në rikthimin e B1 dhe pasiguria për afatin e përfundimit të punimeve shtojnë presionin mbi sigurimin e energjisë elektrike, në një periudhë kur kërkesa rritet dhe Kosova ekspozohet më shumë ndaj çmimeve në tregjet rajonale.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com