Home / Lajme / Kosova / Nga klasa të ftohta në kushte më të mira: efiçienca e energjisë ndryshon realitetin në një shkollë në Shtime

Nga klasa të ftohta në kushte më të mira: efiçienca e energjisë ndryshon realitetin në një shkollë në Shtime

Për rreth 800 nxënës dhe 33 punonjës të SHFMU “Emin Duraku” në Shtime, ky dimër ka sjellë kushte dukshëm më të mira mësimi. Falë investimit të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), shkolla tashmë ofron komoditet më të lartë dhe ngrohje të njëtrajtshme në të gjitha hapësirat.

Drejtoresha e shkollës, Floreta Abazi, kujton vështirësitë e viteve të kaluara me sistemin e amortizuar të ngrohjes, i cili kërkonte ndërhyrje të përditshme për të siguruar temperatura minimale në klasa. Pas përfundimit të punimeve, sipas saj, nxehtësia është e njëjtë në gjithë objektin, një ndryshim që vërehet menjëherë dhe që po konfirmohet edhe nga prindërit.

Në kuadër të projektit, FKEE ka realizuar izolimin e jashtëm të mureve dhe kulmit, ka ndërruar dritaret dhe dyert e jashtme, si dhe ka instaluar ndriçim LED. Përveç kursimit të energjisë, këto ndërhyrje kanë përmirësuar ndjeshëm edhe ambientin e brendshëm të shkollës.

Ky projekt është pjesë e 17 ndërhyrjeve të ngjashme, për të cilat auditimi dhe dizajni janë financuar nga Banka Botërore, ndërsa investimet janë mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës.