Home / Lajme / Kosova / Paralajmëron Gërxhaliu: Dy skenarë për rrymën – reduktime ose çmim më i lartë

Paralajmëron Gërxhaliu: Dy skenarë për rrymën – reduktime ose çmim më i lartë

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, njëherësh ekspert i ekonomisë, ka folur për mundësitë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, paralajmëron se qytetarët duhet të jenë të përgatitur për një rritje të re të çmimit të energjisë elektrike, e cila mund të hyjë në fuqi nga 1 prilli 2026.

Në një intervistë për Gazeta Blic, ai tha se kërkesa e KESCO-s për shtrenjtim të rrymës ende duhet të shqyrtohet, por sipas tij, përvoja e deritanishme tregon se vendime të tilla shpesh merren pa debat të gjerë publik, raporton Energy Monitor.

“Beteja për energjinë elektrike është humbur paslufte, kur janë refuzuar shumë projekte strategjike. Sot Kosova është vend i varur nga importi, në vend se të jetë shtet eksportues i energjisë elektrike”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Sipas tij, varësia nga importi dhe keqmenaxhimi i sektorit energjetik kanë krijuar kushte që shtrenjtimi të jetë pothuajse i pashmangshëm. Ai përmendi edhe faktin se Kosova, vetëm gjatë vitit 2025, ka importuar rreth 6 milionë euro thëngjill, gjë që sipas tij dëshmon problemet serioze në menaxhimin e kapaciteteve ekzistuese.

“Nëse jemi të varur nga importi, kemi keqmenaxhim të aseteve prodhuese dhe mungesë të transparencës, atëherë çfarë tjetër mund të ndodhë pos rritjes së çmimit?”, u shpreh ai.

Gërxhaliu thekson se qytetarët dhe ekonomia e vendit po përballen me dy skenarë të qartë në sektorin e energjisë, përcjell Energy Monitor.

“Nëse nuk e prodhon vet energjinë, duhet ta importosh. Përndryshe, edhe ekonomia edhe qytetarët do të ballafaqohen me dy skenarë: skenari i parë është terri dhe reduktimet, ndërsa skenari i dytë është çmimi i lartë që duhet të paguhet”, ka theksuar ai.

Ai kritikon edhe mungesën e reagimit publik dhe institucional pas rritjeve të mëhershme të çmimit të energjisë, duke vënë në pikëpyetje angazhimin e qeverisë për krijimin e kapaciteteve të reja prodhuese.

“Çka ka ndodhur pas rritjes prej 16.1 për qind të çmimit të rrymës? A ka pasur protesta, reagime nga bizneset apo kapacitete të reja prodhuese në energji diellore, erë apo burime të tjera? Këto nuk kanë ndodhur”, ka potencuar Gërxhaliu.

Në fund, ai thekson se qytetarët kanë të drejtë të reagojnë dhe të protestojnë, por kërkon edhe një rol më aktiv të opozitës, e cila sipas tij ka mbetur e heshtur.

“Me këtë heshtje po krijohet pasivitet edhe te qytetarët. Nuk duhet të na habitë nëse rritja e çmimit të energjisë përsëritet periodikisht nga viti në vit, përderisa nuk ka vendime strategjike për rritjen e prodhimit vendor”, ka përfunduar Gërxhaliu.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com