Home / Lajme / Kosova / Ndryshohet ligji por jo dhe udhëzimet administrative: Kompanitë minerare mbesin pa licencë dhe Kosova pa materiale

Ndryshohet ligji por jo dhe udhëzimet administrative: Kompanitë minerare mbesin pa licencë dhe Kosova pa materiale

Mos-ndryshimi i Udhëzimit Administrativ, që lejon dhënien e tokave publike me qira, po rrezikon falimentimin e qindra kompanive të sektorit minerar në Kosovë.

Qindra kompani të sektorit minerar në Kosovë po rrezikojnë të falimentojnë si pasojë e mos-ndryshimit me kohë të Udhëzimit Administrativ, i cili lejon dhënien e tokave publike me qira. Kompanitë minerare, bujqit e ato që kanë synuar të bëjnë investime në energjinë e ripërtërishme janë duke u përballur me mungesë të zhavorrit dhe betonit.

Një pjesë e prodhuesve dhe përpunuesve kanë ndalur punën. Kjo pasi atyre u ka skaduar licenca e sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, të njëjtat nuk ka se kush t’ua lëshojë deri në ndryshimin e këtij udhëzimi.

Shumë kompani zhavorrin dhe betonin i kanë siguruar më parë nga tokat publike që u janë dhënë në shfrytëzim nga shteti. Por gjithçka ndryshoi me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pronën Publike në nëntor të 2023-s.

Atëherë është dashur të bëheshin ndryshimet e nevojshme në Udhëzimin Administrativ për dhënien me qira të pronave publike, gjë e cila rregullonte edhe pjesën e licencimit.

Sot e kësaj dite, procesi ka mbetur i bllokuar në Ministrinë e Bujqësisë. Në mungesë të ndryshimeve të bëra, kompanive që u kanë skaduar licencat nuk po ka më se kush t’ua lëshojë të njëjtat.

Si rrjedhojë, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrinë thonë se një pjesë e kompanive pritet të ndalin punën.

Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë tha për RTK se në momentin që kompanisë i skadon licenca ajo automatikisht duhet ta ndal punën e saj dhe me këtë rast duhet ti dërgojë të gjithë punëtorët e vet në shtëpi.

Në mungesë të lejes, kompania për gurthyerje e Tafil Shalës në Lipjan ka ndalur punën.

Tafil Shala, pronar i një kompanie thotë se ishte kthyer nga diaspora për të investuar në Kosovë, ndërsa tani është në prag të falimentimit.

Nga Ministria e Bujqësisë thanë se më 27 qershor kanë nxjerr vendim për formimin e grupit punues për hartimin e këtij Udhëzimi Administrativ.

Pas përfundimit të procedurave përkatëse sipas kësaj ministrie, Departamenti Ligjor e procedon tek Ministri përmes Sekretares së Përgjithshme për aprovim.

Derisa tokën publike në Kosovë nuk po arrijnë ta shfrytëzojnë, është rritur importi nga Serbia dhe Maqedonia.

Të dhënat e Doganës së Kosovës, tregojnë se deri në qershor të këtij viti nga këto dy shtete është importuar rërë nga silici apo kuarci në vlerë mbi 676,000€.

Gjatë gjithë vitit 2024, importi nga këto dy shtete kishte vlerën e mbi 430,000€.

/Telegrafi