Home / Lajme / Kosova / 7 nga 10 familje në Kosovë përballen me mungesë rehatie gjatë dimrit

7 nga 10 familje në Kosovë përballen me mungesë rehatie gjatë dimrit

Një studim i fundit i realizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) me mbi 1,000 familje në Kosovë nxjerr në pah një realitet shqetësues: 7 nga 10 familje nuk arrijnë rehati të plotë termike gjatë sezonit të dimrit.

Sipas gjetjeve, shumica e familjeve ngrohin vetëm disa dhoma të shtëpisë, ndërsa pjesët e tjera mbeten të ftohta. Kjo praktikë, e diktuar kryesisht nga kostot e larta të energjisë dhe mungesa e izolimit adekuat, çon në humbje të konsiderueshme të nxehtësisë, konsum joefikas të energjisë dhe ulje të cilësisë së jetesës, ka njoftuar Ministria e Ekonomisë, përcjell Energy Monitor.

Ngrohja e pjesshme e banesave është tregues i drejtpërdrejtë i varfërisë energjetike. Shtëpitë me izolim të dobët, dritare joefikase dhe sisteme të vjetruara të ngrohjes kërkojnë më shumë energji për të arritur temperaturë të pranueshme.

Si rezultat, familjet përballen me fatura më të larta, ndërkohë që nuk arrijnë komoditetin e nevojshëm.

Ekspertët e sektorit theksojnë se investimet në izolim termik, zëvendësimin e dritareve, si dhe në sisteme më efikase të ngrohjes mund të reduktojnë ndjeshëm konsumin dhe kostot mujore, duke përmirësuar njëkohësisht kushtet e jetesës.

Studimi është realizuar në kuadër të projektit #GreenEnergyFuture, projekt ky që synon të adresojë pikërisht këto sfida.

Projekti financohet në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Danimarkës, dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

/Energy Monitor