Vala e fundit e nxehtësisë në Evropë rriti ndjeshëm kërkesën për energji, veçanërisht për shkak të përdorimit të kondicionerëve. Burimet diellore luajtën një rol kryesor në përballimin e ngarkesës së rrjetit, duke gjeneruar sasi rekord energjie në muajin qershor.
Vala e fundit e të nxehtit në Evropë e rriti kërkesën ditore për energji deri në 14 përqind, pasi evropianët ndezën kondicionerët e tyre për të qëndruar të freskët.
Por rrezet e diellit gjithashtu rritën disponueshmërinë e energjisë diellore, sipas grupit të ekspertëve të energjisë Ember. Burimet e rinovueshme kanë ndihmuar rrjetet e energjisë të Evropës të kalojnë “testin e ngarkesës” që shkaktoi nxehtësia ekstreme.
Midis 28 qershorit dhe 2 korrikut, temperaturat maksimale ditore ishin mesatarisht 35°C në Gjermani dhe Spanjë, ku disa temperatura lokale tejkaluan 40°C.
Si rezultat i përdorimit në rritje të kondicionerëve, kërkesa ditore për energji u rrit deri në 14 përqind në Spanjë, 9 përqind në Francë dhe 6 përqind në Gjermani, krahasuar me javën e kaluar.
“Pavarësisht presionit të madh, rrjetet evropiane e kaluan testin e stresit dhe energjia diellore luajti një rol të madh në në funksionimin e tyre”, theksuan analistët e Ember.
Qershori i vitit 2025 shënoi prodhimin më të lartë të energjisë diellore të regjistruar ndonjëherë në BE, me 45 teravat orë (TWh), një rritje prej 22% nga një vit më parë. Kjo i furnizoi rrjetet me energji elektrike të lirë dhe të pastër gjatë orëve të ditës.
Në ditët e pikut të nxehtësisë, energjia diellore prodhoi deri në 50 gigavat (GW) energji në Gjermani, duke gjeneruar 33-39% të totalit në vend.
Në të kundërt, termocentralet patën vështirësi gjatë kësaj periudhe. Në Francë, 17 nga 18 termocentralet bërthamore u përballën me reduktime të kapacitetit gjatë valës së të nxehtit. Disa prej tyre u mbyllën plotësisht për shkak të temperaturave të larta të lumenjve, pasi ujërat e tyre nuk mund të përdoreshin si zakonisht për të ftohur reaktorët.