Home / Lajme / Kosova / Interkoneksioni 400 kV Tetovë–Prizren drejt statusit të projektit strategjik në Maqedoninë e Veriut

Interkoneksioni 400 kV Tetovë–Prizren drejt statusit të projektit strategjik në Maqedoninë e Veriut

Operatori i sistemit të transmisionit në Maqedoninë e Veriut, MEPSO, ka dorëzuar aplikimin për marrjen e statusit PECI (Projekt me interes për Komunitetin Energjetik) për projektin strategjik “Korridori interkonektues Lindje-Perëndim 400 kV – Seksioni perëndimor”. Ky projekt konsiderohet ndër iniciativat më të rëndësishme rajonale në zhvillimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike.

Projekti parashikon ndërtimin e një linje transmetuese 400 kV nga Tetova drejt Prizrenit, duke krijuar një lidhje të re direkte elektroenergjetike ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe sistemit energjetik të Republikës së Kosovës. Korridori Shkup – Tetovë – Ohër, me interkoneksion ndërkufitar drejt Prizrenit, pritet të forcojë ndjeshëm rrjetin e transmetimit në pjesën perëndimore të vendit. Gjatësia e përgjithshme e këtij seksioni vlerësohet rreth 255 kilometra.

Një element i rëndësishëm i projektit është ndërtimi i një trafostacioni të ri 400/110 kV në Tetovë, si dhe mundësia për ndërtimin e një trafostacioni tjetër 400/110 kV në Osllomej. Këto investime pritet të përmirësojnë integrimin e kapaciteteve ekzistuese dhe të planifikuara të prodhimit të energjisë, përfshirë burimet e ripërtëritshme, si dhe të rrisin fleksibilitetin operativ të sistemit elektroenergjetik.

Projekti ka një dimension të qartë rajonal dhe lidhet drejtpërdrejt me projektin tashmë të miratuar me status PECI për përmirësimin e korridorit Kosovë – Shqipëri (Prizren – Fierzë) në nivelin 400 kV, duke kontribuar në forcimin e mëtejshëm të ndërlidhjes energjetike në Ballkanin Perëndimor.

Projektet që marrin statusin PECI konsiderohen prioritare për sektorin e energjisë elektrike dhe gazit në kuadër të Komunitetit të Energjisë dhe përfshijnë iniciativa me ndikim në më shumë se një vend anëtar. Fitimi i këtij statusi përbën një njohje zyrtare të rëndësisë strategjike të projektit dhe mundëson koordinim më të mirë institucional mes vendeve të përfshira, përshpejtim të procedurave përgatitore dhe të realizimit, si dhe qasje më të lehtë në instrumente financiare ndërkombëtare dhe asistencë teknike nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Zbatimi i Korridorit 400 kV Lindje-Perëndim pritet të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të sistemit elektroenergjetik, të lehtësojë integrimin e tregut rajonal të energjisë, të reduktojë kufizimet në rrjet dhe të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit energjetik si në vend, ashtu edhe në rajon.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com