Italia është gati të rrisë taksat për kompanitë që përfitojnë nga rritja e çmimeve të gazit të shkaktuara nga kriza e Lindjes së Mesme, tha kryeministrja Giorgia Meloni.
Në një intervistë me stacionin radiofonik RTL 102.5, Meloni përsëriti se Italia mbështet ngrirjen e skemës së tregtimit të emetimeve të karbonit (ETS) për të lehtësuar faturat e energjisë në të gjithë Bashkimin Evropian (BE).
“Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar spekulimet. Jam gati të reagoj, nëse është e nevojshme, edhe duke rritur taksat për kompanitë që mund të spekulojnë me çmimet përmes faturave të energjisë”, tha Meloni.
Komentet e saj erdhën vetëm disa ditë pasi Italia rriti taksën e korporatave “IRAP” (taksa mbi prodhimin rajonal – shënim i redaktorit) për kompanitë e energjisë për të ndihmuar në financimin e një pakete lehtësimi për familjet dhe bizneset. Ky veprim do të sjellë rreth 1 miliard euro në arkën e shtetit deri në vitin 2028.
Udhëheqësit e BE-së po vlerësojnë mënyrat për të kufizuar paqëndrueshmërinë në tregun e karbonit të BE-së, si pjesë e një shqyrtimi të tregut të planifikuar për më vonë këtë vit.
Meloni tha se skema e tregtimit të emetimeve duhet të rishikohet për të siguruar që kompanitë që prodhojnë energji nga burime të rinovueshme të mos dëmtohen.
Sistemi i tregtimit të emetimeve, politika më e rëndësishme e BE-së për ndryshimet klimatike, i detyron termocentralet dhe kompanitë industriale të blejnë leje për CO2 kur ndotin dhe kufizon numrin e lejeve në treg për të zvogëluar emetimet me kalimin e kohës.
“Ne gjithmonë kemi bërë thirrje që kostot e ‘ETS’ të shkëputen nga çmimet e energjisë së rinovueshme, siç është energjia hidroelektrike dhe diellore, me qëllim uljen e kostove të energjisë”, tha Meloni.
Megjithatë, Italia muajin e kaluar u kritikua gjerësisht për miratimin e një skeme të rikuperimit të kostos për prodhuesit e energjisë termoelektrike, me avokatët e energjisë së gjelbër që thanë se masa do t’u sillte dobi prodhuesve që përdorin lëndë djegëse fosile.



