Termocentrali me qymyr Stanari në Bosnje dhe Hercegovinë pritet të vazhdojë operimin deri rreth vitit 2050, sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë Elektrane Stanari, Aleksandar Miliq.
Duke folur në një podcast të Capital TV, Miliq tha se planet aktuale të kompanisë parashohin funksionimin e centralit edhe për disa dekada, megjithëse e ardhmja mbetet e pasigurt për shkak të presioneve në rritje ndaj prodhuesve të energjisë nga lëndët djegëse fosile, ka njoftuar Balkan Green Energy News.
Kompleksi Stanari përfshin një minierë qymyri dhe një termocentral me kapacitet rreth 300 MW, i cili prodhon afërsisht 2 TWh energji elektrike në vit. Objekti punëson rreth 1,200 punonjës, ndërsa vitin e kaluar raportoi një fitim prej rreth 40 milionë euro.
Sipas Miliq, planet për operimin deri në vitin 2050 lidhen edhe me rezervat e qymyrit, të cilat vlerësohen në 55–60 milionë tonë. Megjithatë, ai theksoi se është e vështirë të parashikohet nëse prodhimi nga qymyri do të jetë i qëndrueshëm edhe në dekadat e ardhshme, për shkak të politikave të tranzicionit energjetik dhe presionit për reduktimin e emetimeve, përcjell Energy Monitor.
Ai shtoi gjithashtu se ritmi i shpejtë i tranzicionit nga energjia fosile drejt burimeve të energjisë ripërtëritshme në Evropë mund të sjellë sfida për stabilitetin e sistemit energjetik dhe çmimet e energjisë, pasi mbyllja e centraleve me qymyr mund të ndikojë në rritjen e kostove të energjisë elektrike.
Stanari është i vetmi termocentral privat me qymyr në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor, dhe tradicionalisht ka eksportuar një pjesë të madhe të energjisë elektrike në tregjet e huaja. Megjithatë, strategjia e shitjes së energjisë po ndryshon për shkak të rregullave të reja të Bashkimit Evropian, përfshirë mekanizmin CBAM për taksimin e karbonit në importet e energjisë.



