Home / Lajme / Mjedisi / Nis peticioni për mbrojtjen e bimëve dhe njohjen e “ekocidit” në Kosovë

Nis peticioni për mbrojtjen e bimëve dhe njohjen e “ekocidit” në Kosovë

Platforma360 ka nisur një një peticion kombëtar për mbrojtjen e bimëve dhe hapësirave të gjelbra në Kosovë të përkrahur nga organizata të shoqërisë civile, aktivistë dhe profesionistë, duke kërkuar njëkohësisht që “ekocidi” të përfshihet si kategori e veçantë në Kodin Penal të vendit.

Përmes një letre të hapur drejtuar Kuvendit të Kosovës, Qeverisë, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Drejtësisë dhe komunave, nismëtarët shprehin shqetësim për atë që e quajnë prerje sistematike dhe shpesh të pakontrolluar të bimëve në hapësirat urbane dhe rurale.

Sipas tyre, reduktimi i gjelbërimit paraqet rrezik për shëndetin publik, biodiversitetin, stabilitetin klimatik lokal dhe cilësinë e jetesës. Ata theksojnë se bimët dhe hapësirat e gjelbra janë pjesë e rëndësishme e infrastrukturës ekologjike, pasi ndihmojnë në uljen e ndotjes së ajrit, temperaturave urbane dhe rrezikut nga erozioni apo përmbytjet.

Në peticion kërkohet kriminalizimi më i fortë i prerjes së paligjshme të bimëve, përfshirë sanksione më të ashpra për individë, kompani apo institucione përgjegjëse, si dhe krijimi i një regjistri publik për prerjet dhe zëvendësimet e gjelbërimit në nivel komunal dhe qendror.

Nismëtarët kërkojnë gjithashtu rishikimin e legjislacionit mjedisor, duke propozuar standarde të detyrueshme për ruajtjen dhe zëvendësimin e bimëve, si dhe integrimin e kritereve ekologjike në projektet ndërtimore dhe urbanistike.

Një nga kërkesat kryesore është edhe përfshirja e “ekocidit” si vepër penale e veçantë në Kodin Penal të Kosovës, duke e përkufizuar atë si veprime të paligjshme ose të pakujdesshme që shkaktojnë dëme të rënda, të gjera ose afatgjata në mjedis.

Peticioni kërkon gjithashtu nga komunat që të ndalojnë prerjet e bimëve pa analizë profesionale ekologjike dhe konsultim publik, si dhe të vendosin objektiva të matshme për zgjerimin e hapësirave të gjelbra.

Nisma është mbështetur nga një numër organizatash dhe aktivistësh, ndërsa organizatorët bëjnë thirrje që edhe qytetarë të tjerë t’i bashkohen peticionit.

Sipas tyre, peticioni do të mbetet i hapur për nënshkrime dhe më pas do të dorëzohet zyrtarisht në institucionet e Republikës së Kosovës.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com