Zëvendëskryeministri dhe ministri i Naftës i Irakut, Hayyan Abdul Ghani tha sot se po përgatiten plane alternative eksporti për shkak të ndalimit të eksporteve të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit dhe se tubacioni i naftës Kirkuk-Turqi mund të vihet përsëri në funksion “brenda një jave” pa kaluar nëpër territorin e Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut (KRG).
Sipas Anadoly Agency, ministri vuri në dukje se prodhimi i naftës bruto të Irakut është rreth 4.4 milionë fuçi në ditë sipas kuotës së OPEC-ut.
Megjithatë, ai tha se disa ditë pas fillimit të luftës, eksportet e naftës së Irakut u ndalën për shkak të zhvillimeve ushtarake në Gjirin Persik dhe mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.
Ai tha se Iraku më parë ka eksportuar rreth 3.4 milionë fuçi naftë në ditë, kryesisht përmes porteve jugore, veçanërisht Terminalit të Naftës së Basrës.
Por, pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, Ministria e Naftës u detyrua të zvogëlonte prodhimin në fushat e naftës.
“Prodhimi i naftës tani është reduktuar në 1.5-1.6 milionë fuçi në ditë për të përmbushur nevojat e rafinerive dhe termocentraleve. Rafineritë aktualisht po operojnë në nivelin më të lartë të kapaciteteve të tyre të projektuara, duke vazhduar të prodhojnë benzinë, naftë, produkte të bardha të naftës dhe LPG (gaz të lëngshëm nafte). Përveç kësaj, një sasi e caktuar stoku po mbahet për emergjenca”, shtoi ministri irakian i Naftës.
Abdul Ghani theksoi se Iraku po vlerëson dërgesën e naftës përmes portit Ceyhan në Turqi për të rifilluar eksportet.
Ai shtoi se janë hapur edhe tenderë për eksporte përmes portit Baniyas në Siri dhe përmes rrugës së tubacionit Aqaba.
Ai tregoi se tubacioni Irak-Turqi, i cili transporton naftën e Kirkukut në Turqi, ka kapacitet prej 200 mijë deri në 250 mijë fuçi naftë në ditë dhe se testimi përfundimtar dhe puna e mirëmbajtjes janë aktualisht në vazhdim.
Sipas tij, testimi i mbetur hidrostatik në një seksion prej afërsisht 100 kilometrash pritet të përfundojë brenda një jave.
“Nafta do të furnizohet direkt nga fushat e Kirkukut në tubacion (tubacioni Irak-Turqi) dhe mund të dërgohet në Turqi pa kaluar nëpër KRG”, shtoi Abdul Ghani. /AA



