Home / Lajme / Ndërkombëtare / Hungaria: Ukraina kërkon krizë energjetike në vendin tonë

Hungaria: Ukraina kërkon krizë energjetike në vendin tonë

Hungaria ka konfirmuar zyrtarisht se do të vazhdojë të bllokojë kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, si dhe paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë. Shkak është bërë ndërprerja e furnizimit me naftë përmes tubacionit “Druzhba”.

Gjatë takimit të ministrave të Jashtëm në Bruksel, kryediplomati hungarez, Péter Szijjártó, e cilësoi situatën si një tentativë të qëllimshme të Ukrainës për të shkaktuar krizë energjetike në vendin e tij.

“Pozicioni ynë është i palëkundur dhe i drejtpërdrejtë. Për sa kohë që ukrainasit po luajnë me ne, për sa kohë që nuk rinisin dërgesat e naftës për arsye politike dhe po përpiqen të shkaktojnë krizë furnizimi në Hungari, atëherë mbështetja është jashtë diskutimit”.

Sipas Budapestit, varësia vetëm nga tubacioni kroat “JANAF” është e papranueshme për sigurinë kombëtare, duke kërkuar rikthimin e menjëhershëm të furnizimit.

“Ne nuk duam të jemi në një situatë ku furnizohemi ekskluzivisht nga Kroacia, sepse asnjëherë nuk dëshiron të jesh i varur nga një burim i vetëm. Pavarësisht debateve komerciale, ne duhet të jemi shumë të qartë: nuk jemi absolutisht të gatshëm të varemi vetëm nga një tubacion”.

Nga ana tjetër, Kievi pohon se ndërprerja e rrjedhës së naftës që prej fundit të janarit ka ardhur si pasojë e dëmtimeve teknike, të cilat kërkojnë kohë për t’u riparuar.

/tvklan.al

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com