Home / Lajme / Kosova / Disa kompani çeke ofrojnë mbështetje për transformimin energjetik të Kosovës

Disa kompani çeke ofrojnë mbështetje për transformimin energjetik të Kosovës

Në përpjekje për ta ndihmuar Kosovën në përballje me sfidat e saj energjetike, disa kompani të specializuara çeke ofrojnë zgjidhje teknologjike, në kuadër të një nisme të mbështetur nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë e Çekisë.

Disa kompani çeke janë duke ndihmuar Kosovën në adresimin e sfidave të saj energjetike, në kuadër të një inciative të mbështetur nga Qeveria e Çekisë, përkatësisht nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë. Në Pragë, Jablonec dhe Kralupy janë zhvilluar disa takime mes përfaqësuesve të sektorit energjetik të Kosovës dhe kompanive çeke, duke synuar nxitjen e bashkëpunimit në teknologjitë moderne dhe të qëndrueshme.

Në Kosovë, afër 90 për qind e prodhimit të energjisë vjen nga qymyri, rrjeti energjetik vuan nga pasiguria në tension dhe frekuencë, ndërsa procesi i nxjerrjes dhe djegies së lëndëve djegëse ndikon në shëndetin publik dhe në ekosistemin e Kosovës.

Në këtë kontekst, sipas një njoftimi, kompanitë çeke kanë prezantuar zgjidhje konkrete për modernizimin e sektorit energjetik të Kosovës, duke ofruar teknologji për reduktimin e ndikimit mjedisor të minierave dhe përmirësimin e procesit të djegies së qymyrit, sisteme të avancuara të ruajtjes së energjisë për stabilizimin e rrjetit energjetik, si dhe zbatimin e teknologjive me hidrogjen në transport dhe industri.

Ndryshe, qëllimi i këtyre kontakteve është i dyfishtë: të zgjerojë mundësitë për eksport dhe investime për kompanitë çeke në tregjet e Ballkanit Perëndimor, dhe të kontribuojnë në tranzicionin e gjelbër të Kosovës përmes teknologjive të qëndrueshme.