Home / Lajme / Kosova / Ambasadori gjerman: Kosova duhet ta përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së pastër

Ambasadori gjerman: Kosova duhet ta përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së pastër

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka vlerësuar se vendi ndodhet në një pikë kthese për të ardhmen e sektorit energjetik, duke theksuar nevojën për modernizimin e kapaciteteve prodhuese, diversifikimin e burimeve dhe rritjen e investimeve në energjinë e ripërtëritshme.

Në një opinion të publikuar më 11 nëntor, Rudolph ka thënë se siguria dhe përballueshmëria e furnizimit me energji elektrike ishin ndër çështjet që u ngritën vazhdimisht gjatë Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar, ku morën pjesë mbi 600 përfaqësues nga Kosova dhe Gjermania.

“Furnizimi me energji nuk është vetëm një shqetësim i komunitetit ekonomik. Ai përbën themelin e qëndrueshmërisë kombëtare, të shëndetit publik dhe të integrimit evropian të vendit”, ka shkruar ambasadori, përcjell Energy Monitor.

Sipas tij, rreth 90 për qind e energjisë elektrike në Kosovë vazhdon të prodhohet nga qymyri, kryesisht në dy termocentrale të vjetruara. Ai ka vlerësuar se ekonomia e vendit mbështetet ende në një infrastrukturë energjetike të projektuar në vitet 1960 dhe 1980, gjë që paraqet rreziqe për zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe shëndetin publik.

Rudolph ka argumentuar se burimet moderne të energjisë së ripërtëritshme, përfshirë energjinë diellore, atë të erës dhe energjinë gjeotermale, kanë kosto më të ulët gjatë ciklit të tyre jetësor sesa ndërtimi dhe operimi i kapaciteteve të reja me qymyr apo gaz.

“Ankandet e para konkurruese për energjinë diellore dhe të erës përbëjnë gurë miliarë të rëndësishëm. Ato dëshmuan se investitorët vendas dhe ndërkombëtarë janë të gatshëm të investojnë kapital kur rregullat janë të qarta, transparente dhe zbatohen në mënyrë konsekuente”, ka shkruar ai.

Ambasadori ka theksuar se investimet në energjinë e ripërtëritshme mund të krijojnë mundësi për sektorin privat dhe vende të reja pune, ndërsa përmirësimi i efiçiencës së energjisë mund të sjellë kursime për familjet dhe bizneset. Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e energjisë humbet për shkak të izolimit të dobët të ndërtesave.

Ai ka vënë në pah edhe rëndësinë e diversifikimit të sistemit energjetik, duke përfshirë parqet e erës dhe ato solare, bateritë për ruajtjen e energjisë, hidrocentralet me akumulim pompues dhe modernizimin e linjave të transmetimit, raporton Energy Monitor.

“Një sistem energjetik i decentralizuar, i diversifikuar dhe i ndërlidhur në rajon është gjithashtu më i qëndrueshëm”, ka vlerësuar Rudolph.

Në opinionin e tij, ambasadori ka lidhur tranzicionin energjetik edhe me shëndetin publik, duke theksuar pasojat e ndotjes së ajrit nga termocentralet me qymyr dhe sistemet joefikase të ngrohjes.

“Largimi gradual nga lëndët djegëse fosile shpëton jetë”, ka shkruar ai, duke shtuar se kjo do të ulte edhe kostot e kujdesit shëndetësor dhe ditët e humbura të punës.

Rudolph ka përmendur gjithashtu ndikimin e Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit të Karbonit të Bashkimit Evropian (CBAM), i cili, sipas tij, tashmë krijon kosto shtesë për eksportin e energjisë nga burimet fosile dhe të produkteve me intensitet të lartë energjetik drejt tregut evropian.

Ai ka paralajmëruar se vonesat në dekarbonizimin e sektorit mund t’i kushtojnë më shumë ekonomisë dhe taksapaguesve të Kosovës, ndërsa përafrimi me politikat klimatike të BE-së do të lehtësonte qasjen në investimet evropiane.

Sa i përket bashkëpunimit dypalësh, ambasadori ka bërë të ditur se Qeveria Federale Gjermane aktualisht financon nëntë projekte të bashkëpunimit në Kosovë, në fusha që përfshijnë politikat klimatike dhe energjetike, modernizimin e rrjetit, energjinë fotovoltaike, ngrohjen diellore-termike dhe efiçiencën e energjisë.

Përmes bankës KfW dhe agjencisë GIZ, Gjermania po siguron mbi 250 milionë euro për këto projekte, në bashkëpunim me institucionet kosovare. Ndër projektet e përmendura nga Rudolph janë parku solar prej 100 MW që planifikohet të ndërtohet mbi deponitë e hirit të Termocentralit Kosova A dhe sistemi i ngrohjes qendrore diellore-termike për Prishtinën.

“Tranzicioni drejt energjisë së pastër ka edhe sfida. Ai kërkon vendosmëri, lidership politik, ekspertizë teknologjike dhe burime financiare. Megjithatë, kostoja e mosveprimit është shumë më e lartë sesa kostoja e veprimit”, ka përfunduar ambasadori gjerman.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com