Tregu i përbashkët i energjisë mes Kosovës dhe Shqipërisë po vazhdon të zgjerohet me operatorë të rinj. Bursa e energjisë elektrike ALPEX ka njoftuar se njësia në Kosovë e kompanisë tregtare nga Maqedonia e Veriut, Sole 24, është bërë anëtarja më e re në zonën e ofertimit të Kosovës.
Kompania tashmë do të ketë mundësi të tregtojë energji elektrike në tregun “day-ahead” dhe atë brenda ditës (intraday), duke u bërë pjesë e mekanizmave kryesorë të tregtimit në bursë.
Me këtë shtesë, numri i anëtarëve në ALPEX ka arritur në 44, duke reflektuar një interes në rritje për tregun e organizuar të energjisë në rajon, përcjell Energy Monitor.
ALPEX është themeluar në vitin 2020 nga operatorët e transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës, OST dhe KOSTT, dhe operon tregjet e energjisë për të dyja vendet.
Zhvillimi i bursës konsiderohet një hap kyç drejt integrimit të tregjeve energjetike në rajon, duke rritur transparencën, konkurrencën dhe efikasitetin në tregtimin e energjisë elektrike.
Hyrja e operatorëve të rinj, si Sole 24, pritet të rrisë likuiditetin e tregut dhe të forcojë funksionimin e tij, në një kohë kur Kosova dhe rajoni po përballen me sfida të vazhdueshme në furnizim dhe balancim të energjisë.



