Në Antali po zbaton një projekt inovativ që kombinon furnizimin me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike, përmes instalimit të turbinave brenda tubacioneve të ujësjellësit.
Projekti parasheh vendosjen e dy turbinave hidroenergjetike me kapacitet të kombinuar prej rreth 1.9 MW, të cilat do të shfrytëzojnë energjinë e ujit gjatë rrjedhjes nga burimet malore drejt qytetit, ka njoftuar Balkan Green Energy News.
Në vend që presioni i tepërt në tubacione të reduktohet përmes valvulave, sistemi i ri do ta konvertojë këtë energji të humbur në energji elektrike, duke rritur efikasitetin e rrjetit të furnizimit me ujë.
Të dyja instalimet do të lidhen me tubacionet që furnizohen nga burimi Karaağaç dhe konsiderohen një zgjidhje e qëndrueshme për shfrytëzimin e energjisë ekzistuese pa ndërtuar infrastrukturë të re të madhe, përcjell Energy Monitor.
Ky model po tërheq vëmendje si një mënyrë inovative për të kombinuar sektorin e ujit me atë të energjisë, duke reduktuar humbjet dhe duke kontribuar në prodhim të pastër të energjisë.
Projekte të tilla mund të jenë të aplikueshme edhe në vende të tjera, përfshirë rajonin, sidomos aty ku ekzistojnë rrjete të zhvilluara të ujësjellësit dhe diferenca të mëdha në lartësi, që krijojnë potencial për rikuperim të energjisë.



