Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM), Prof. Dr. Mirlind Bruçi, së bashku me stafin menaxhues të fakultetit, pritën në takim përfaqësuesit e Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), znj. Learta Berisha, menaxhere grupi për burime njerëzore, dhe z. Rudin Lleshaj, drejtor i burimeve njerëzore.
Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe bashkëpunuese, me fokus në harmonizimin e kompetencave profesionale që ofron Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike – në veçanti në drejtimet Termoenergjetikë dhe Energji e Ripërtëritshme – me nevojat konkrete të sektorit të energjisë dhe kërkesat profesionale të KEDS-it.
Palët theksuan rëndësinë e përputhjes së kualifikimeve akademike me kërkesat e tregut të punës, duke e parë si thelbësore aftësimin praktik dhe profesional të studentëve për sfidat reale të industrisë energjetike në Kosovë.
Gjatë takimit u diskutuan edhe mundësitë për bashkëpunim konkret në fusha të ndryshme, përfshirë organizimin e praktikave profesionale për studentët, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, si dhe përfshirjen e përfaqësuesve të industrisë në procesin e hartimit dhe përmirësimit të kurrikulave akademike.