Komisioni për Ekonomi ka miratuar në parim Projektligjin për Energjinë me 5 vota për, një nismë që sipas Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, synon rritjen e mbrojtjes së konsumatorëve dhe përafrimin e sektorit me standardet e Bashkimit Evropian.
Ajo theksoi se projektligji i ri është më i qartë dhe më i detajuar se ai aktual, duke vendosur në fokus të drejtat e qytetarëve dhe bizneseve, si dhe duke përfshirë dispozita që lidhen me tregun e brendshëm të energjisë dhe qeverisjen klimatike sipas acquis të BE-së.
Megjithatë, diskutimi në komision u shoqërua me përplasje dhe kritika nga deputetët e opozitës. Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e cilësoi projektligjin si centralizues dhe ngriti shqetësime për konflikt interesi, duke pretenduar se i jepen kompetenca të tepërta institucioneve në planifikimin e sektorit energjetik.
Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, kritikoi dobësimin e rolit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke ngritur dilema për pavarësinë e saj dhe mundësinë e ndërhyrjes së ministrisë në çmime dhe operim të tregut.
Debati u tensionua edhe më tej gjatë përballjes verbale mes deputetit Shala dhe deputetes së VV-së, Rozeta Hajdari, ku kjo e fundit mbrojti mënyrën e funksionimit të ministrive në hartimin e politikave, ndërsa Shala e cilësoi punën e saj si ish-ministre si “shembull të keq”.
Ndërkohë, deputeti i VV-së, Driton Hyseni, përkrahu përfshirjen më të madhe të konsumatorëve të cenueshëm në projektligj, por ngriti shqetësime për afatet e zbatimit dhe koston financiare.
Në fund, ministrja Rizvanolli theksoi rëndësinë e miratimit të projektligjit brenda afateve të parapara, duke paralajmëruar se vonesat mund të rrezikojnë humbjen e rreth 9 milionë eurove nga mbështetja financiare e Bashkimit Evropian në kuadër të planit të rritjes.



