Në kuadër të procesit të informimit dhe konsultimit për Draft Rregullën e Bashkësive të Energjisë nga Burimet e Ripërtërishme (BEBR), është mbajtur një tjetër takim këtë herë me përfaqësues të komunave të Rajonit të Prizrenit.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga komunat e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit, Dragashit dhe Malishevës, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, sektorit privat, bizneseve lokale, investitorëve dhe kompanive që operojnë në fushën e energjisë së ripërtërishme dhe efiçiencës së energjisë.
Takimi u zhvillua në kuadër të projektit EECSOK, i mbështetur nga Ambasada e Suedise ne Prishtine, ku Community Development Fund po mbështet Zyren e Rregullatorit te Energjise në hartimin dhe finalizimin e kësaj rregulloreje, percjell Energy Monitor.
Qëllimi i këtij procesi është krijimi i një kornize të qartë rregullative për funksionimin e bashkësive të energjisë, si dhe nxitja e përfshirjes aktive të komuniteteve lokale në tranzicionin energjetik.
Ky cikël takimesh po synon të përfshijë aktorët lokalë në procesin e hartimit të politikave, duke kontribuar në zhvillimin e një modeli më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për energjinë në Kosovë.



