Home / Lajme / Rajoni / Rritet konsumi në Shqipëri, shkak zgjerimi i aktivitetit ekonomik nga bizneset dhe kërkesës nga familjet

Rritet konsumi në Shqipëri, shkak zgjerimi i aktivitetit ekonomik nga bizneset dhe kërkesës nga familjet

Konsumi i energjisë elektrike në Shqipëri ka shënuar rritje gjatë vitit 2025, duke reflektuar një zgjerim të moderuar të kërkesës, të lidhur si me aktivitetin ekonomik ashtu edhe me rritjen e konsumit familjar.

Sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Energjisë në Shqipëri, konsumi total i energjisë elektrike arriti në rreth 8,345 gWh në vitin 2025, nga 8,171 gWh një vit më parë, duke konfirmuar një trend në rritje të përdorimit të energjisë në vend.

Pjesën më të madhe të konsumit vijojnë ta zënë familjet, të cilat gjatë vitit të kaluar konsumuan rreth 3,640 gWh energji elektrike, në rritje me rreth 6.3% krahasuar me vitin 2024. Kjo kategori mbetet dominuese edhe në strukturën e faturimit, duke përfaqësuar mbi gjysmën e totalit, rreth 52% të energjisë së faturuar.

Në të njëjtën kohë, edhe konsumi i klientëve jo familjarë ka shënuar rritje, duke arritur në 1,517 gWh në vitin 2025, nga 1,419 gWh një vit më parë. Ky zhvillim lidhet kryesisht me zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e kërkesës për energji në sektorin privat.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se numri i përgjithshëm i klientëve të furnizuar me energji elektrike ka arritur në mbi 1.37 milionë në vitin 2025, ku rreth 85% e tyre janë klientë familjarë, duke konfirmuar peshën e lartë të kësaj kategorie në strukturën e konsumit në vend.

/scantv.al

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com