Kompania franceze e energjisë së ripërtëritshme Akuo po intensifikon aktivitetin e saj në Evropën Juglindore, duke e konsideruar rajonin si një nga tregjet më premtuese për zhvillimin e projekteve të reja në energjinë diellore dhe atë të erës.
Sipas drejtuesve të kompanisë, Akuo tashmë ka një portofol zhvillimi prej rreth 1.3 GW në rajon, ndërsa një pjesë e këtij pipeline lidhet drejtpërdrejt me tregje në zhvillim si Kosova, ku kompania po shqyrton mundësi konkrete për investime në projekte të energjisë së ripërtëritshme, njofton Balkan Green Energy News.
Kosova shihet si një treg me potencial të lartë për shkak të nevojës për kapacitete të reja prodhuese, varësisë nga termocentralet me linjit dhe angazhimit për tranzicion energjetik. Në këtë kontekst, interesi i investitorëve ndërkombëtarë si Akuo reflekton rritjen e atraktivitetit të tregut kosovar për projekte të reja, veçanërisht në sektorin solar dhe atë të erës.
Në nivel global, Akuo ka arritur një kapacitet operativ prej rreth 1.7 GW, me rreth 400 MW në ndërtim dhe një pipeline prej afro 10 GW. Kompania synon të arrijë deri në 5 GW kapacitet operacional deri në vitin 2030, duke u mbështetur edhe në zgjerimin në tregje të reja si ato të Ballkanit, përcjell Energy Monitor.
Zgjerimi në rajon vjen në një kohë kur siguria energjetike dhe diversifikimi i burimeve janë bërë prioritete kryesore, ndërsa investimet në energjinë e ripërtëritshme po shihen si kyçe për uljen e varësisë nga importet dhe për stabilitetin afatgjatë të sistemit energjetik.



