Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria eksportoi 1.2 TWh energji në 3-mujorin e parë 2026, si e ndihmoi taksa e karbonit

Shqipëria eksportoi 1.2 TWh energji në 3-mujorin e parë 2026, si e ndihmoi taksa e karbonit

Tre muajt e parë të vitit shënuan një rritje të ndjeshme të energjisë ku prodhimi nga hidrocentralet ishte 70 për qind më i larë në janar-mars 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e bëra publike në raportin e Komunitetit të Energjisë “Mekanizmi i Rregullimit të Karbonit në Kufi” tregojnë se Shqipëria u avantazhua në raport me vendet e tjera të rajonit në eksportet e saj që vijnë nga burime të ripërtëritshme.

Konkretisht, sipas raportit të parë tremujor mbi zbatimin e Carbon Border Adjustment Mechanism (CBAM), prodhimi hidroenergjetik i Shqipërisë u rrit ndjeshëm, duke e kthyer vendin në një eksportues neto shumë më agresiv të energjisë drejt rajonit dhe tregut të Bashkimit Evropian.

“Prodhimi hidro në Shqipëri u rrit me 1.34 TWh (+70%) në tremujorin e parë të vitit 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, nga 1.93 TWh në 3.27 TWh”, thuhet në raport, ndërsa rritja u përqendrua kryesisht në janar dhe shkurt, me përkatësisht +72% dhe +84%, duke reflektuar kushte hidrologjike jashtëzakonisht të favorshme.

Kjo tepricë sipas raportit u përkthye menjëherë në eksporte më të larta. Shqipëria rriti eksportet e planifikuara drejt Greqisë me 4,100 MWh në ditë, drejt Kosovës me 3,700 MWh në ditë dhe drejt Malit të Zi me 2,000 MWh në ditë.

I njëjti dokument vlerëson se  “këto ndryshime në flukset tregtare përfaqësojnë një lëvizje neto prej afërsisht 1.2 TWh energji shqiptare që doli jashtë vendit në tremujorin e parë të vitit 2026”, një volum që përputhet pothuajse plotësisht me rritjen shtesë të prodhimit hidro.

Efekti ekonomik bëhet edhe më i madh për shkak të mënyrës se si CBAM trajton energjinë shqiptare. Ndryshe nga Serbia, Bosnja apo Mali i Zi, Shqipëria ka faktor emetimi zero, që do të thotë se eksportet e saj drejt Bashkimit Evropian nuk ngarkohen me kosto shtesë karboni.

“Energjia elektrike e importuar në Bashkimin Evropian nga Shqipëria nuk u prek financiarisht nga CBAM”, thekson raporti, duke shtuar se kjo “krijoi një stimul tregtar për importimin e energjisë elektrike shqiptare në tregjet e BE-së”.

Një situatë si kjo e kthen Shqipërinë në një korridor preferencial energjie drejt tregut evropian, veçanërisht drejt Greqisë dhe më tej Italisë. Raporti vëren se eksportet nga Shqipëria drejt Greqisë u theksuan, ndërsa energjia shqiptare, së bashku me prodhimin e lartë grek, u ridrejtua më tej drejt Bullgarisë dhe Italisë.

Komuniteti i Energjisë paralajmëron se sistemet e dominuara nga hidro si Shqipëria “duken se janë në një pozitë strukturore më konkurruese”, duke sugjeruar se CBAM po krijon fitues dhe humbës afatgjatë në rajon. Në kontrast, vendet me prodhim më të lartë nga qymyri përballen me tarifa të rënda.

Mali i Zi, për shembull, paguan rreth 73.8 euro për çdo MWh të eksportuar në Bashkimin Evropian, ndërsa Shqipëria zero. “Kontrasti mes Shqipërisë dhe Malit të Zi tregon se si faktori i emetimit në nivel vendi formëson tregtinë ndërkufitare”, shkruan raporti, duke e vendosur Shqipërinë në anën përfituese të transformimit të ri energjetik evropian.

/monitor.al

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com