Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar nisjen e një procesi të detajuar për shqyrtimin e çdo dosjeje të dorëzuar të gurthyesve në Kosovë, duke theksuar se transparenca dhe zbatimi i ligjit do të jenë në qendër të këtij procesi.
Sipas saj, gjatë kësaj jave do të fillojë analiza e çdo dosjeje të dorëzuar nga operatorët e gurthyesve, në kuadër të vendimit për verifikimin e ligjshmërisë së aktivitetit të tyre. Për të siguruar një proces të paanshëm dhe të besueshëm, në mbikëqyrje janë përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave mjedisore.
Pacolli ka paralajmëruar se operatorët që nuk kanë respektuar afatet apo kriteret e përcaktuara do të përballen me masa të rrepta ligjore, duke sinjalizuar një qasje më të ashpër ndaj aktiviteteve të paligjshme në këtë sektor, përcjell Energy Monitor.
“Kohës së operimeve jashtë rregullave i ka ardhur fundi”, ka theksuar ajo, duke shtuar se institucionet nuk do të tolerojnë më degradimin e mjedisit dhe shkeljet ligjore që dëmtojnë interesin publik.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur çështja e ndikimit të gurthyesve në mjedis dhe komunitetet lokale ka qenë shpesh në fokus të debatit publik. Autoritetet synojnë që përmes këtij procesi të vendosin rend dhe ligjshmëri në sektor, si dhe të sigurojnë mbrojtjen e burimeve natyrore në vend.
Qeveria ka theksuar se mbrojtja e mjedisit mbetet një prioritet i panegociueshëm, duke paralajmëruar se çdo aktivitet që cenon pasurinë natyrore do të trajtohet në përputhje me ligjin.



