Kompania energjetike shtetërore e Serbisë, EPS, do të kyç në rrjet parkun e erës në Kostolac me kapacitet prej 66 megavatësh gjatë muajit gusht. Ky është një nga projektet më të rëndësishme të energjisë së ripërtëritshme në vend, dhe pritet të furnizojë me energji të pastër rreth 30 mijë amvisëri çdo vit.
Punimet për ndërtimin e parkut të erës tashmë janë përfunduar dhe janë instaluar të gjitha 20 turbinat me nga 3.3 megavatë secila. Projekti është zhvilluar në zonën përreth termocentralit në Kostolac, në lindje të Serbisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë.
Prodhimi vjetor i pritshëm është rreth 187 gigavat orë.
Ky projekt është financuar përmes një kombinimi të fondeve të EPS, një granti të Bashkimit Evropian në vlerë prej 30 milionë eurosh dhe një huaje të butë nga banka gjermane KfW, me vlerë mbi 80 milionë euro.
Vlera e përgjithshme e projektit kap shifrën e rreth 144 milionë eurove. Sipas autoriteteve, lidhja me rrjetin elektrik do të bëhet në gusht, pasi tashmë janë përmbyllur të gjitha fazat e ndërtimit dhe montimit, ndërsa pritet vetëm finalizimi i sistemit të lidhjes dhe testimeve përfundimtare.
Parku me erë në Kostolac është një ndër projektet e para të këtij lloji të zbatuara nga EPS, dhe përbën pjesë të strategjisë afatgjate të Serbisë për të rritur pjesëmarrjen e burimeve të ripërtëritshme në miksin energjetik.
Ky zhvillim përkon me përpjekjet e vendit për të përmbushur objektivat klimatike dhe për të zvogëluar varësinë nga qymyri, i cili ende përbën pjesën më të madhe të prodhimit të energjisë në Serbi.
Energjia që do të prodhohet nga parku me erë në Kostolac do të kontribuojë në uljen e ndotjes dhe në përmirësimin e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik në tërësi.