Mitrovica po përjeton një transformim të rëndësishëm energjetik në hapësirat publike, ku veçanërisht spikat renovimi i Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”. Projekti është realizuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë bashkë me autoritetet lokale dhe financuesit ndërkombëtarë.
Puna ka përfshirë termoizolimin e mureve dhe çatisë, ndërrimin e dritareve dhe dyerve, ndriçim LED dhe instalimin e sistemeve të ngrohjes me pelet. Me këtë ndërhyrje, e cila kushton rreth 700 mijë euro, pritet të arrihet një kursim i energjisë deri në 66 për qind dhe reduktim i emetimeve të CO₂ me rreth 511 tonë në vit.
Përfitues të këtij investimi janë qytetarët, organizatat joqeveritare dhe shkollat artistike që veprojnë në ambientet e qendrës kulturore. Ky është projekti i fundit në një seri investimesh të FKEE-së në Mitrovicë, ku janë përfshirë gjithsej nëntë objekte publike, me një vlerë totale investimi mbi 2.5 milionë euro.
Rivitalizimi i Qendrës së Kulturës është pjesë e një strategjie më të gjerë të FKEE-së për të përmirësuar efikasitetin energjetik në ndërtesa publike. Projekti është bashkëfinancuar nga Qeveria e Kosovës, Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian, si pjesë e një programi që përfshin edhe institucione të tjera komunale.
Sipas Drejtorit të FKEE-së, implementimi i këtyre masave synon përmirësimin e komoditetit në përdorim të objekteve publike, uljen e shpenzimeve të energjisë dhe reduktimin e ndikimit mjedisor. Projekti shënon përfundimin e ndërtimit të masave të efiçiencës së energjisë për të gjitha ndërtesat e sektorit publik në Mitrovicë, duke vënë kështu një standard për iniciativa të ngjashme në qytete të tjera.