Home / Lajme / Kosova / FKEE nis renovimin e shtëpive për familjet në asistencë sociale

FKEE nis renovimin e shtëpive për familjet në asistencë sociale

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka bërë të ditur se ka nisur puna në shtëpitë e para të familjeve të përzgjedhura nga skema e asistencës sociale në kuadër të projektit “Tranzicioni i Gjelbër dhe i Drejtë për Kosovën”.

Sipas FKEE-së, projekti synon zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në deri në 280 shtëpi deri në vitin 2028, me fokus te familjet në nevojë që përballen me kushte të vështira jetese dhe konsum të lartë të energjisë.

Institucioni njoftoi se një nga vizitat e para është realizuar në shtëpinë e Magbule Dragidelës në Prishtinë, ku pritet të kryhen renovime për përmirësimin e izolimit dhe kushteve të banimit.

“Nëpërmjet rinovimit të shtëpisë do të krijohet komoditet më i madh për familjen, duke mundësuar edhe kursim të energjisë”, thuhet në njoftim, përcjell Energy Monitor.

Projekti financohet nga Qeveria e Danimarkës dhe zbatohet nga FKEE në partneritet me UNDP Kosovo dhe Ministria e Ekonomisë.

Sipas FKEE-së, iniciativa synon të kontribuojë në ndërtimin e një sistemi energjetik më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në Kosovë, përmes uljes së konsumit të energjisë dhe përmirësimit të kushteve të jetesës për familjet vulnerabël.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com