Home / Lajme / Mjedisi / Drejt menaxhimit më të qëndrueshëm të parqeve: AMMK dhe SwEPA fokus te edukimi dhe komunitetet

Drejt menaxhimit më të qëndrueshëm të parqeve: AMMK dhe SwEPA fokus te edukimi dhe komunitetet

Më 21 prill 2026, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), në bashkëpunim me Swedish Environmental Protection Agency (SwEPA), organizoi një sesion mbi komunikimin në kuadër të projektit “Ndërtimi i Kapaciteteve për Mbrojtjen e Natyrës dhe Përdorimin e të Dhënave Mjedisore”, i financuar nga Swedish International Development Cooperation Agency (SIDA).

Gjatë këtij sesioni u theksua roli i komunikimit si një mjet kyç për themelimin dhe zhvillimin e parqeve kombëtare. Përfaqësuesit e SwEPA ndanë shembuj praktikë mbi planifikimin e komunikimit, me synim ndikimin në njohuritë, qëndrimet dhe sjelljet e komuniteteve që jetojnë brenda dhe përreth zonave të mbrojtura.

Bazuar në diskutimet e përbashkëta, AMMK dhe SwEPA u dakorduan që fokusi kryesor i komunikimit të jetë tek banorët lokalë, ndërsa si grup i dytë i synuar u identifikuan fëmijët dhe të rinjtë, si bartës të rëndësishëm të njohurive për një të ardhme të qëndrueshme.

Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i përvojave ndërmjet Suedisë dhe Kosovës, si dhe krijimi i hapësirës për diskutim me stafin dhe ekspertët e përfshirë në menaxhimin e parqeve kombëtare.

Në kuadër të aktivitetit, stafi i parqeve kombëtare diskutoi edhe sfidat me të cilat përballen komunitetet që jetojnë brenda ose pranë këtyre zonave, si dhe mënyrat aktuale të adresimit të tyre.

Aktivitetet do të vazhdojnë me vizita në Parku Kombëtar Bjeshkët e Nemuna dhe Parku Kombëtar Sharri, me fokus në identifikimin e nevojave për trajnim dhe ngritjen e kapaciteteve të stafit të drejtorive për administrimin e parqeve kombëtare në Kosovë.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com