Home / Lajme / Ndërkombëtare / Sot Dita e Tokës, OKB thirrje për kalim të shpejtë te burimet e ripërtëritshme të energjisë

Sot Dita e Tokës, OKB thirrje për kalim të shpejtë te burimet e ripërtëritshme të energjisë

Sot është Dita e Tokës. Organizata e Kombeve të Bashkuara fton që aktivitetet e programuara në këtë ditë të kenë si emërues të përbashkët temën “Fuqia jonë, planeti ynë”.

Kjo temë përqendrohet në përgjegjësinë e individëve, organizatave dhe qeverive për të përshpejtuar tranzicionin drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë, me qëllim trefishimin e energjisë së pastër në rang global, për vitin 2030.

“Nëna Tokë po bën thirrje për veprim. Natyra po vuan. Oqeanet po mbushen me plastikë dhe po bëhen më acide. Nxehtësia ekstreme, zjarret dhe përmbytjet kanë prekur miliona njerëz”, ngre alarmin OKB-ja.

Ndryshimet klimatike, ndryshimet e shkaktuara nga njeriu në natyrë, si dhe krimet që prishin biodiversitetin, siç janë shpyllëzimi, ndryshimi i përdorimit të tokës, intensifikimi i bujqësisë dhe prodhimit blegtoral ose rritja e tregtisë së paligjshme të kafshëve të egra, mund të përshpejtojnë shkatërrimin e planetit.

Kjo është arsyeja pse duhet të rimëkëmbim ekosistemet tona. Sa më të shëndetshme të jenë ekosistemet tona, aq më i shëndetshëm është planeti – dhe njerëzit e tij.

Rivendosja e ekosistemeve të dëmtuara do të ndihmojë në dhënien fund të varfërisë, në luftimin e ndryshimeve klimatike dhe në parandalimin e zhdukjes masive.

Sipas statistikave të OKB-së, planeti ynë Toka po humbet 10 milionë hektarë pyje çdo vit, një sipërfaqe më e madhe se Islanda.

Një ekosistem i shëndetshëm na ndihmon të mbrohemi nga sëmundjet, sepse diversiteti biologjik e bën të vështirë përhapjen e shpejtë të patogjenëve.

Është vlerësuar se rreth një milion lloje kafshësh dhe bimësh aktualisht kërcënohen me zhdukje.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com