Home / Zgjedhjet / Haradinaj: Dy kontrata të gatshme për energji ia kam lënë Kurtit

Haradinaj: Dy kontrata të gatshme për energji ia kam lënë Kurtit

Ish-kryetari i Aleancës Ramush Haradinaj, ka deklaruar se sa ishte kryeministër, ia ka sjellë Kosovës dy kontrata të gatshme për prodhim të energjisë.

Ai ka deklaruar në tubimin në Podujevë se këto kontrata ia ka lënë kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, por që nuk janë zbatuar nga ky i fundit.

“Sa ka qenë e rëndësishme ushtria kur është bërë, e kam pasur nderin me qenë aty, aq është i rëndësishëm një termocentral që prodhon energji. Energjia është edhe siguri, andaj Ardian Gjini ka instituar që energjia me qenë në mes, edhe me qenë shtylla kyçe. Dy kontrata ia kam lënë Kurtit në tavolinë, të gatshme. Një kontratë për një termocentral me qymyr, 450 megavat. Neve ka kërkohet nga 200 deri në 300 megavat, në dimër. Investim i huaj, kompani amerikane, 25 vjet çmimi ka pasur me qenë vetëm 80 euro”, deklaroi ai transmeton Klankosova.tv.

Haradinaj shtoi se energjia është tepër e rëndësishme, andaj me Aleancën në qeverisje, Kosova do ta kalonte krizën energjetike dhe rritjen e hovshme të çmimeve të rrymës.

E në Istog, ai deklaroi se nëpërmjet termocentralit të ri, Kosova ka pasur mundësi të paguante vetëm 80 euro megavatin për 25 vitet e ardhshme.

Ai iu tha qytetarëve në këtë tubim se kjo ishte pjesë e një kontrate e cila u arrit përgjatë qeverisjes së tij, por që nuk e vazhdoi pasardhësi, Albin Kurti.

“Çmimi i megavatit, 80 euro për 25 vjet mos me u rritë çmimi. Ne i kemi pasur dy kushte, me e ble rrymën me ia siguru tregun, e tepricën me e shitë. Kishim fituar para t’u e shitë rrymën, e jo t’u e ble te armiqtë. Çmimi do të ishte 3 deri në 4 herë më i lirë, i asaj që e paguajmë sot”, ka deklaruar Haradinaj.

Sipas ish-kryeministrit, Kosova gjendet në krizë energjetike për shkak se nuk është reaguar me kohë, derisa shtoi sot blihet megavati për rreth 1.000 euro.

Haradinaj e përmendi edhe Presidentin historik, Dr.Ibrahim Rugovën që vjen nga Istogu, duke thënë se bashkëpunimin politik me të e ka pasur në shërbim të kombit.

“…Edhe në pjesën e bërjes së politikës, bashkëpunimin me Presidentin Rugova. Disa më thonë mos e përmend njëren, disa më thonë mos e përmend tjetrën, po të dyja i kam bërë me vetëdije në shërbim të kombit. Ju pres në 128 më 7 qershor”, ka deklaruar Haradinaj.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com