Home / Lajme / Ndërkombëtare / Ligjvënësit italianë miratojnë kornizën ligjore për energjinë bërthamore, reaktorët e parë gati në vitet 2034-2035

Ligjvënësit italianë miratojnë kornizën ligjore për energjinë bërthamore, reaktorët e parë gati në vitet 2034-2035

Dhoma e Deputetëve e Italisë ka miratuar një ligj kuadër për energjinë bërthamore, duke i hapur rrugën qeverisë për të hartuar rregullore mbi prodhimin e qëndrueshëm të energjisë bërthamore, kërkimet mbi shkrirjen bërthamore dhe menaxhimin e mbetjeve radioaktive, transmeton Anadolu.

Siç raportoi agjencia e lajmeve ANSA, projektligji u miratua me 155 vota pro dhe 86 kundër dhe tani do t’i dërgohet Senatit për miratimin përfundimtar.

Pasi të miratohet nga të dy dhomat e parlamentit, ai do t’i japë qeverisë kompetencën për të rregulluar prodhimin e energjisë nga burime të qëndrueshme bërthamore, për të zhvilluar kërkime mbi shkrirjen bërthamore dhe për të menaxhuar mbetjet radioaktive.

“Dekretet zbatuese për kornizën ligjore mbi energjinë bërthamore do t’i kemi deri në Krishtlindje”, deklaroi ministri i Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike, Gilberto Pichetto Fratin, gjatë një konference për media.

Pichetto tha se reaktorët e parë funksional në Itali mund të hyjnë në punë në vitet 2034-2035.

Ai theksoi se qeveria synon t’i sigurojë vendit një kornizë ligjore që do t’i mundësojë marrjen e vendimeve të nevojshme për garantimin e furnizimit me energji në dekadat e ardhshme.

Pichetto theksoi se projektligji “ka të bëjë vetëm me energjinë bërthamore për përdorim civil”, duke shtuar: “Jam dakord që ajo të mos përdoret për qëllime ushtarake”.

“Projektligji duhet ta vendosë vendin në një pozitë që të përmbushë kërkesën në rritje për energji. Të gjithë ekspertët parashikojnë një shpërthim të kërkesës, të nxitur nga qendrat e të dhënave dhe industria. Ne duhet t’i plotësojmë burimet e rinovueshme me energjinë bërthamore dhe hidrogjenin, jo t’i zëvendësojmë ato”, tha ai.

/aa.com.tr

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com