Home / Lajme / Tjera / Ymer Fejzullahu përfundon mandatin, Alexei Taran zgjidhet President i Bordit Rregullator të Komunitetit të Energjisë

Ymer Fejzullahu përfundon mandatin, Alexei Taran zgjidhet President i Bordit Rregullator të Komunitetit të Energjisë

Bordi Rregullator i Komunitetit të Energjisë (ECRB) ka zgjedhur z. Alexei Taran, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare për Rregullimin e Energjisë në Moldavi (ANRE), si President të ri për një mandat dyvjeçar.

ECRB është organi i pavarur rajonal i rregullatorëve të energjisë në kuadër të Komunitetit të Energjisë dhe shërben si platformë për koordinimin rregullator, harmonizimin e rregullave, zhvillimin e praktikave të mira dhe zbatimin e acquis të BE-së në sektorin e energjisë.

Në mandatin e tij, Taran do të udhëheqë Bordin në një periudhë me përgjegjësi të zgjeruara rregullatore, veçanërisht në lidhje me Paketën e Integrimit të Tregut të Energjisë Elektrike, e cila përbën bazën ligjore për lidhjen e tregjeve të energjisë elektrike të Komunitetit të Energjisë me Bashkimin Evropian, përcjell Energy Monitor.

Ai gjithashtu është zotuar për forcimin e kornizës së zbatimit të REMIT-it, rregullores për integritetin dhe transparencën e tregut të energjisë në nivel shumicë.

Në vitin 2025, u shënua një moment historik me vendosjen e gjobës së parë të lidhur me REMIT në Komunitetin e Energjisë nga rregullatori ukrainas, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të rregullave për forcimin e besimit në tregjet e energjisë dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga abuzimet në treg.

ECRB ka shprehur gjithashtu mirënjohje për z. Ymer Fejzullahu, kryetar i ZRRE-së në Kosovë, i cili ka shërbyer si President i Bordit për dy vitet e fundit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com