Home / Highlights / Pas remontit kapital, rikthehet në operim edhe njësia A5

Pas remontit kapital, rikthehet në operim edhe njësia A5

Njësia A5 e Termocentralit Kosova A është rikthyer në operim pas përfundimit të remontit vjetor dhe remontit kapital të kaldajës, ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Brenda pak ditësh, korporata ka rikthyer në operim tri njësi gjeneruese, pasi përfundoi remontin vjetor edhe të njësisë B2 dhe sanimin e defekteve që kishin nxjerrë jashtë prodhimit njësinë A3.

Sipas KEK-ut, procesi i startimit të njësisë ka nisur rreth orës 12:00, ndërsa sinkronizimi me sistemin elektroenergjetik të Kosovës është realizuar rreth orës 18:00.

Gjatë periudhës së remontit janë kryer ndërhyrje të rëndësishme në kaldajë dhe punime të tjera teknike me qëllim rritjen e besueshmërisë operacionale, sigurisë teknike dhe qëndrueshmërisë së prodhimit, njofton Energy Monitor.

KEK thekson se rikthimi në operim i njësisë është rezultat i punimeve të realizuara nga ekipet teknike të Termocentralit Kosova A dhe të korporatës, ndërsa aktualisht A5 ndodhet në fazën e stabilizimit operacional dhe po monitorohet sipas procedurave teknike.

Sipas korporatës, rikthimi i njësisë në prodhim kontribuon në forcimin e kapaciteteve gjeneruese vendore dhe në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike në Kosovë.

KEK ka bërë të ditur se do të vazhdojë me realizimin e investimeve dhe aktiviteteve të mirëmbajtjes në kapacitetet ekzistuese gjeneruese, me synim rritjen e sigurisë operative dhe besueshmërisë së sistemit energjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com