Home / Lajme / Kosova / KOSTT në Forumin e Energjisë në Athinë: Tërnava prezanton progresin e Kosovës dhe ngre çështjen e kapaciteteve ndërkufitare

KOSTT në Forumin e Energjisë në Athinë: Tërnava prezanton progresin e Kosovës dhe ngre çështjen e kapaciteteve ndërkufitare

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Trim Tërnava, ka marrë pjesë në Forumin e 31-të të Energjisë Elektrike në Athinë, një nga ngjarjet më të rëndësishme rajonale në sektorin energjetik. Në forum u diskutuan tema kyçe që lidhen me integrimin e tregjeve të energjisë, sigurinë e furnizimit, fleksibilitetin e sistemeve elektroenergjetike, ndikimin e CBAM dhe tranzicionin energjetik.

Gjatë panelit të dedikuar implementimit të Pakos për Integrimin e Energjisë Elektrike dhe rrugës drejt tregut pan-evropian të energjisë, Tërnava prezantoi progresin e Kosovës në harmonizimin me kornizën evropiane.

Ai theksoi avancimin në transpozimin e kodeve dhe udhëzimeve relevante, forcimin e koordinimit rajonal dhe përgatitjet për integrim më të thellë në proceset evropiane të tregut të energjisë.

Në diskutim u ngrit edhe çështja e mosalokimit nga pala serbe të kapaciteteve ndërkufitare në interkoneksionin Kosovë–Serbi, përcjell Energy Monitor.

Sipas KOSTT, kufizimi i qasjes në kapacitetet ekzistuese ndërkufitare pengon integrimin e tregut, kufizon konkurrencën dhe krijon barriera në tregtinë ndërkufitare, duke ndikuar negativisht në formimin e çmimeve dhe duke rritur kostot për pjesëmarrësit e tregut dhe konsumatorët fundorë.

KOSTT thekson se përdorimi efikas, transparent dhe jodiskriminues i kapaciteteve ndërkufitare është thelbësor për funksionimin e tregjeve të integruara rajonale dhe evropiane.

Në fund, KOSTT rikonfirmoi përkushtimin për avancimin e proceseve integruese, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e rolit të Kosovës në zhvillimet evropiane të sektorit energjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com