Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / Syla: Kosova duhet të rrisë fondet për energji të pastër, 880 mijë eurot për bizneset janë të pamjaftueshme

Syla: Kosova duhet të rrisë fondet për energji të pastër, 880 mijë eurot për bizneset janë të pamjaftueshme

Lulzim Syla, ekspert i energjisë dhe një nga pronarët në Elen Energy, ka kërkuar rritje të konsiderueshme të fondeve mbështetëse për energjinë e pastër në Kosovë, duke e krahasuar skemën aktuale të granteve me programet e ngjashme në Kroaci.

Reagimi i tij vjen pas hapjes së Skemës së Granteve për Energji të Pastër – Faza II, përmes së cilës Ministria e Ekonomisë ka vënë në dispozicion 880 mijë euro për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, për investime në sisteme solare, bateri për ruajtjen e energjisë, efiçiencë të energjisë dhe pajisje që ulin konsumin në proceset prodhuese.

Syla ka theksuar se, pavarësisht dallimeve në madhësinë e vendeve, fondet e dedikuara për energji të pastër në Kosovë mbeten shumë më të ulëta krahasuar me vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian, përcjell Energy Monitor.

“Rreth 2.5 herë Kroacia ka më shumë popullsi, kurse fondin e ka 37 herë më të lartë se ne”, ka shkruar Syla, duke iu referuar një fondi prej 38 milionë eurosh të dedikuar nga Fondi për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Efiçiencën e Energjisë në Kroaci për një thirrje për energji të pastër.

Sipas tij, Kosova ka mundësi të aplikojë në fondet e Bashkimit Evropian dhe mekanizma të tjerë financiarë për të rritur mbështetjen për familjet dhe bizneset, veçanërisht duke marrë parasysh sfidat e vendit me furnizimin me energji elektrike gjatë periudhave me konsum të lartë.

“Për me ulë varësinë nga importi dhe me kriju siguri energjetike duhen shumë më shumë fonde”, ka deklaruar Syla.

Ai ka argumentuar më herët se Kosova mund të rrisë pavarësinë energjetike përmes zhvillimit të projekteve solare, por edhe përmes krijimit të skemave më të mëdha mbështetëse për qytetarët dhe bizneset që investojnë në burime të energjisë së pastër, njofton Energy Monitor.

Sipas tij, përhapja më e madhe e sistemeve fotovoltaike do të mund të ndihmonte në reduktimin e kërkesës nga rrjeti, uljen e kostove për konsumatorët dhe zvogëlimin e nevojës për importe të energjisë elektrike.

Thirrja aktuale për Skemën e Granteve për Energji të Pastër – Faza II mbetet e hapur deri më 27 korrik 2026, ndërsa bizneset mund të aplikojnë përmes platformës eKosova.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com