Edhe pak ditë kanë mbetur për të aplikuar në fazën e dytë të Skemës së Granteve për Energji të Pastër, përmes së cilës Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NVM) mund të sigurojnë mbështetje financiare për investime në energji të ripërtëritshme dhe efiçiencë të energjisë.
Faza e dytë e skemës ka një buxhet prej 880 mijë euro, ndërsa synon të mbështesë bizneset në instalimin e sistemeve fotovoltaike, baterive për ruajtjen e energjisë, përmirësimin e efiçiencës së energjisë në ndërtesa dhe investimet në pajisje që ulin konsumin e energjisë në proceset e prodhimit.
Skema përfshin tri masa mbështetëse:
- instalimin e sistemeve solare dhe baterive për ruajtjen e energjisë;
- investimet në efiçiencën e energjisë në ndërtesat e bizneseve;
- pajisjet që rrisin efiçiencën e energjisë në linjat e prodhimit.
Ndërmarrjet mund të aplikojnë për secilën masë veçmas, me mbështetje deri në 20 mijë euro, ndërsa kombinimi i Masës 3 me Masën 1 ose 2 mund të financohet deri në 25 mijë euro për përfitues.
Të drejtë aplikimi kanë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme me aktivitete prodhuese ose përpunuese, si dhe kompanitë që operojnë në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike dhe zhvillojnë aktivitete në këta sektorë.
Afati i fundit për aplikim është 27 korrik 2026. Aplikimet dorëzohen përmes platformës eKosova, ndërsa dokumentacioni dhe udhëzuesit për aplikim janë të publikuar nga Ministria e Ekonomisë.
- Thirrja për aplikim është e hapur deri më 27 korrik 2026. Aplikimi realizohet përmes platformës eKosova, në këtë Link.
- Udhëzuesit për aplikim, dokumentacioni i nevojshëm dhe informacionet e detajuara, i gjeni duke ndjekur Link-un.
Skema zbatohet nga Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe LuxDev – Luxembourg Development Cooperation Agency.



