Parku fotovoltaik i Karavastasë, me një kapacitet prej 140 megavatësh dhe i operuar nga kompania franceze Voltalia, ka prodhuar 132 gigavat orë (GWh) energji elektrike gjatë gjysmës së parë të vitit 2025. Kjo sasi paraqet një rënie të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur prodhimi arriti në 136 GWh.
Ky është viti i parë i plotë i funksionimit të parkut, i cili hyri në prodhim komercial në dhjetor të vitit 2023. Gjatë vitit 2024, centrali diellor arriti të prodhojë 258 GWh energji, duke e pozicionuar si një nga burimet më të rëndësishme të energjisë së ripërtëritshme në Shqipëri.
Rreth gjysma e energjisë së prodhuar gjatë vitit është e kontraktuar përmes një marrëveshjeje afatgjatë 15-vjeçare me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), ndërsa pjesa tjetër i shitet tregut të lirë, përmes kontratave me aktorë privatë.
Rënia e lehtë e prodhimit në pjesën e parë të vitit 2025 lidhet kryesisht me kushte klimatike më pak të favorshme dhe me ndryshimet në indeksimin e çmimeve për shitjet jashtë kontratave afatgjata, që ndikuan në strategjinë e operimit të centralit.
Ndërkohë, Voltalia ka nisur ndërtimin e një tjetër centrali diellor në zonën e Spitallës, pranë Durrësit, me një kapacitet prej 100 megavatësh. Ky projekt pason suksesin e Karavastasë dhe tregon përkushtimin e kompanisë për të zgjeruar portofolin e energjisë së gjelbër në Shqipëri.