Sindikata e Re e KEK-ut ka vlerësuar çdo përmirësim që ndikon në mirëqenien e punëtorëve, duke e cilësuar ngritjen e fundit prej 60 eurosh në paga si një hap pozitiv, por të pamjaftueshëm.
Sipas sindikatës, kjo rritje nuk i përmbush pritjet dhe as kërkesat e punëtorëve, duke theksuar se ajo nuk përfaqëson as gjysmën e shumës së kërkuar dhe nuk reflekton kontributin real të tyre në sektorin energjetik.
“Punëtorët e KEK-ut janë shtylla e sistemit energjetik të Kosovës,” thuhet në reagim, duke shtuar se çdo tentim për ta paraqitur këtë rritje si arritje të madhe është i padrejtë ndaj punëtorëve, njofton Energy Monitor.

Sindikata thekson se angazhimi i saj do të vazhdojë për paga dinjitoze, trajtim të barabartë dhe vlerësim institucional të punës dhe sakrificës së punëtorëve të KEK-ut, të cilët sipas saj mbajnë barrën kryesore të sistemit energjetik çdo ditë.
Në reagim nënvizohet gjithashtu se Sindikata e Re do të vazhdojë të mbrojë interesat e punëtorëve dhe të kërkojë përmirësime të mëtejshme në kushte pune dhe standard jetese.



