Home / Lajme / Kosova / Rizvanolli: Tri njësi të KEK-ut në operim, B2 dhe A3 pritet të rikthehen brenda 24 orëve

Rizvanolli: Tri njësi të KEK-ut në operim, B2 dhe A3 pritet të rikthehen brenda 24 orëve

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se aktualisht Korporata Energjetike e Kosovës po operon me tri njësi prodhuese të energjisë elektrike, ndërsa ekipet teknike janë të angazhuara pa ndërprerje për rikthimin në operim edhe të dy njësive të tjera që janë jashtë funksionit.

Sipas Rizvanollit, në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” janë aktualisht në punë njësitë B1, A4 dhe A5, ndërsa ekipet teknike po punojnë me tri ndërrime, 24 orë në ditë, për t’i kthyer sa më shpejt në operim njësitë B2 dhe A3. Ajo ka bërë të ditur se, sipas njoftimeve nga menaxhmenti i KEK-ut, këto dy njësi pritet të rikthehen në operim gjatë mbrëmjes së nesërme.

Ministrja ka theksuar se, gjatë kësaj periudhe të ftohtë kur kërkesa për energji është e lartë, pritet që KEK-u të punojë me pesë blloqe prodhuese, ndonëse kjo paraqet një sfidë të madhe teknike. Ajo ka rikujtuar se Termocentrali “Kosova A” ka operuar me të tri njësitë njëkohësisht për 22 ditë rresht, që nga 19 dhjetori e deri më sot, një arritje e rrallë për sistemin energjetik të vendit.

Për krahasim, Rizvanolli ka theksuar se gjatë 25 viteve të fundit, KEK-u ka operuar me pesë njësi prodhuese vetëm 55 ditë në total, duke e cilësuar angazhimin aktual të stafit teknik dhe menaxherial si të jashtëzakonshëm. Ajo ka shprehur mirënjohje të veçantë për punëtorët dhe menaxherët e KEK-ut, duke i quajtur ata shtyllë të sistemit elektroenergjetik të Kosovës.

Në deklaratën e saj, ministrja ka theksuar se furnizimi i rregullt me qymyr nga Divizioni për Prodhimin e Qymyrit është parakusht kyç për mbajtjen në operim të njësive prodhuese, duke kërkuar përkushtim dhe përgjegjësi nga i gjithë zinxhiri i prodhimit.

Në fund, Rizvanolli u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike sa herë që është e mundur, veçanërisht në këtë periudhë të kërkesës së lartë, në mënyrë që, sipas saj, të kontribuohet së bashku në sigurinë energjetike të vendit.