Home / Lajme / Kosova / Trim Tërnava emërohet Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT-it

Trim Tërnava emërohet Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT-it

Bordi i Drejtorëve i KOSTT Sh.A. ka emëruar njëzëri z. Trim Tërnavën Kryeshef Ekzekutiv të kompanisë, pas një procesi transparent dhe konkurrues, në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Z. Tërnava do të nisë detyrën më 16 shkurt 2026.

Trim Tërnava është një konsulent dhe sipërmarrës me përvojë në energjinë e ripërtëritshme me ekspertizë të gjerë në zhvillimin e projekteve, studimet e fizibilitetit dhe këshillimin rregullator.

Ai ka përfunduar studimet master në Ekonomi të Energjisë në Rice University, SHBA, dhe studimet themelore në Inxhinieri Elektrike në Universitetin e Prishtinës. Me përgatitje të avancuar akademike dhe profesionale, Tërnava ka fokus në ekonominë e energjisë, zhvillimin e tregut, tranzicionin energjetik dhe integrimin rajonal dhe evropian.

Si Drejtor Ekzekutiv dhe Partner Menaxhues i Energy Service LLC, Trimi ka udhëhequr projekte të shumta të energjisë diellore dhe BESS në shkallë të gjerë, duke mbështetur klientët në proceset teknike, financiare dhe lehtësuese, ndërsa ka nxitur tranzicionin e rajonit drejt energjisë së pastër.

Me një dekadë përvojë udhëheqëse në sektorin e energjisë, ai synon të forcojë rolin e KOSTT në arritjen e objektivave strategjike të shoqërisë, duke siguruar operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe të besueshëm të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike.