Parku Kombëtar Sharri është bërë anëtari më i ri i federatës së EUROPARC, duke shënuar një moment të rëndësishëm për sektorin e mbrojtjes së natyrës në Kosovë. Me këtë, Sharri bëhet parku i parë nga Kosova që i bashkohet këtij rrjeti evropian të zonave të mbrojtura.
Sipas njoftimit të EUROPARC, anëtarësimi i Sharrit përfaqëson një shtesë të vlefshme për rrjetin, falë biodiversitetit të pasur, lidhjes së fortë me komunitetet lokale dhe angazhimit për zhvillim të qëndrueshëm.
Në përshkrimin e parkut, theksohet roli i tij si një strehë e rëndësishme për biodiversitetin malor dhe për specie të rralla e ikonike. Strategjia e menaxhimit të parkut fokusohet në mbrojtjen e habitateve natyrore, ruajtjen e biodiversitetit, mbështetjen e stileve tradicionale të jetesës në zonat përreth, si dhe ofrimin e mundësive për edukim, kërkim shkencor dhe rekreacion, përcjell Energy Monitor.
EUROPARC veçon gjithashtu arritjet e viteve të fundit të ekipit të parkut, përfshirë zbulimin e specieve të reja endemike, realizimin e projekteve ndërkufitare dhe forcimin e rolit të parkut në iniciativat evropiane për ruajtjen e natyrës.
Në të njëjtën kohë, vlerësohen edhe aktivitetet që lidhen me mbështetjen e blegtorisë tradicionale në Malet e Sharrit, bashkëpunimin me fermerët dhe shoqatat e tyre, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, mirëmbajtjen e infrastrukturës malore dhe zbatimin e programeve të edukimit mjedisor për vizitorët dhe komunitetet lokale.



